Lajme

Mbi 300 autobusë presin në radhë për të bartur refugjatët

Kolona e gjatë disa kilometra, me mbi 300 autobusë që presin në radhë për të bartur refugjatët nga Presheva deri në qytetin Shid, në kufi me Kroacinë.

Është kjo pamja që mund të shihet në hyrje të Preshevës, qytet, i cili po përballet me krizën e refugjatëve nga Lindja e mesme, kryesisht nga Siria, që po largohen nga vendet e tyre në drejtim të shteteve të Evropës perëndimore.

Çmimi është ende 35 euro për një person, ndërsa kompanitë e autobusëve janë nga Presheva, Bujanoci dhe gjithë Serbia, thonë vozitësit e autobusëve që presin në radhë, duke mos dashur të filmohen me fotografi.

“Çmimi momentalisht është 35 euro. Duke marr parasysh pritjet dhe kohën që kalojmë këtu, deri në dhjetë ditë, ky është një çmim në kufi, do të thotë asgjë e tejkaluar. Çmimi ekonomik do të ishte 25 euro, por pasi që pritjet janë të gjata, nuk është ndonjë përfitim ekstra, kjo është vetëm njeriu të punojë e të fitojë diçka. Jam nga Beogradi dhe kam një autobus”, thotë Slobodani nga Beogradi.

“Ne shumicën e parave ia lëmë shtetit, derivatet, pagesat rrugore, shpenzimet e vozitësit, ushqimi etj. paguajmë edhe taksën për çdo hyrje këtu 12.000 dinarë”, shton ai.

Vozitësi tjetër është nga qyteti i Paraqinit dhe thotë se vozit për një kompani nga Presheva që ka tre autobusë.

“Unë jam nga Paraqini dhe vozis autobusin për njërin nga Presheva që ka tre autobusë. Kjo është dita e dhjetë që presim. Jam i kënaqur me pagën, por jo edhe me pritjet e gjata këtu pasi mban mot i ftohtë”, thotë Dragoslavi nga Paraqini.

“Unë jam nga Kragujevci dhe firma është nga Kragujevci që ka dy autobusë. Po shkon shumë ngadalë, nëntë ditë po presim, nuk po paguhet më ardhja, është ftohtë”, thotë vozitësi tjetër që vjen nga Kragujevci, që bën këtë punë tre muajt e fundit.

“Në kolonë mendoj që janë rreth 300 – 320 autobusë. Fitimi është i vogël, pasi paguajmë ushqimin, derivatet, parkingun 12.000 dinarë. Nuk ka ndonjë fitim, sepse shpenzimet janë të mëdha, tani po shkon nafta sepse po ngrohemi në vend duke pritur”, shton ai.

Edhe ky vozitës konfirmon çmimin prej 35 eurove për një person dhe pagesën prej 12 mijë dinarëve për të hyrë në radhë.

“Taksa është 12.000 dinarë që i shkojnë komunës”, përfundoi ai. /Titulli.com/

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button