Lajme

Universiteti në Tetovë humb epitetin “shtetëror”

Universiteti Shtetëror i Tetovës tani e tutje do të jetë vetëm Universitet në Tetovë, pasi me një vendim të Qeverisë ka humbur epitetin “shtetëror”.
Përveç emrit që ishte simbol i legalizimit të UT-së së dikurshme, USHT ka humbur edhe gjashtë programe studimore, njofton korrespodenti i Koha Ditore nga Shkupi.

Në nenin 5 të Ligjit për plotësim dhe ndryshim të Ligjit për themelim të Universitetit Shtetëror në Tetovë (Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë, nr. 226 e datës 25.12.2015), që e ka miratuar Qeveria mbyllen gjashtë programe studimore: Ndërtimtaria, Arkitektura, Mekatronika, Inxhinieria e Transport – Komunikacionit, Gjeodezia, Gjeoinformatika dhe Inxhinieria Ekonomike.

Vendimi i fundit lidhet me hapjen e universitetit të ri në Shkup që do të quhet “Nëna Terezë”.

Ministri për arsim dhe shkencë, Abdylaqim Ademi, në një prononcim për Alsat-M ka arsyetuar vendimin duke thënë se me këtë bëhet harmonizimi i programeve studimore mes të dy universiteteve.

“Nga ligji u hoq fjala ‘shtetëror’, me çka Universiteti Shtetëror në Tetovë në të ardhmen do të quhet Universiteti në Tetovë, ashtu siç edhe e ka pasur emrin kur është themeluar në vitin 1994. Fakulteti i Shkencave të zbatuara nga viti akademik 2016/2017 nuk do të regjistrojë student të rinj, kurse studentët që i kanë filluar studimet në programet studimore në kuadër të këtij fakulteti do t’i vazhdojnë studimet e tyre në të njëjtin fakultet”, ka thënë Ademi.

Sipas ministrit të Arsimit, me ndryshimet e fundit Universiteti në Tetovë do të ketë 12 fakultete me gjithsej 55 programe studimore. Ai pretendon se harmonizimi i programeve studimore në mes dy Universiteteve në gjuhën shqipe ka për qëllim të mos dëmtojë asnjërin prej tyre dhe e gjithë kjo sipas tij bëhet me qëllim që të mos përputhen programet studimore në dy universitetet

Related Articles

Leave a Reply

Back to top button