LajmeOpinione

Në përkujtim të shokut të klasës, dje Bardhyl Osmani, sot e përjetë “Delta”

Shkruan: Kastriot Saqipi – Kaqa, Regjisor
Nuk e di as vet, pse sot po shkruaj për të. Por nuk është e rëndësishme as kur, as pse dhe as si shkruan, rëndësi ka që unë e kujtoj.
Jemi rritë bashkë. Kemi pas shku në të njëjtën shkollë, me të njëjtët mësues. Por ai “Delta” ishte ndryshe nga të gjithë ne. Ishte më i vogli në klasë. Trup shkurt, inteligjent dhe shumë kurioz. Janë këto pak veçori që e dallonin sa ishim të vegjël.
Matematika ishte lënda e preferuar për Delten. Të gjithë ne strukeshim nën banka kur mësuesi Hysen në orën e Matematikës kishte përsëritje. Vec i vogli Delta ishte i qeshur dhe dilte në drrasën e zezë, zgjidhte të gjitha detyrat. Më kujtohet ecja e tij. Kishte ecje shumë karakteristike. Ecte sikur kishte mbathur susta metalike (federa iu thoshim). Përvec matematikës delta ishte briliant edhe në Histori.

Një ditë tjetër, pikërisht në orën e Historisë, mësuesi po na spjegonte për Skendërbeun. Në fund të orës na pyeti se si duket sipas neve Skendërbeu?
Filluam ta marrim fjalën një nga një, më kujtohet nga dëshira për ta marr fjalën ishim ngritur të gjithë në këmbë dhe mbanim dorën sa ma lart që mundeshim me dy gishta për ta marrë fjalën (kështu ka qenë atëherë, kur doja ta merrje fjalën në klasë), dikush nga entuziazmi nuk mund të rrinte as në bankën e vet, por dilte dhe me dy gishta përpjetë, ofrohej tek mësuesi, gati sa nuk i’a futke gishtat në sy.

Ishte vec Delta i vogël që po qëndronte i ulur në bankë, e as gishtin nuk e çonte. Dikush nga ne tha se Skënderbeu ka qenë shumë i madh, dikush tjetër tha se ka pas trup shumë të fuqishëm, mandje mandje erdhëm në përfundim se ai ka qene më i madhi në botë, dhe askush ska pas mundësi të fitoj luften me të. Në këtë zhurmë që ne si fëmijë thurrnim atribute të mëdha për Skendërbeun, u dëgju nga banka e dytë e mesit, vendi ku delta ishte i ulur gjithmonë, zëri i Delltës “nuk do të thotë se Skendërbeu ka qene i madh dhe i fuqishëm në trup, por besoj se në mendje ishte i tillë “, qeshëm e gjithe klasa, menduam se këtë e tha ai nga kompleksi se ishte më i vogli. Delta dallonte edhe në lojë, aq sa shpesh na neveritke, po gjithmonë na bënte kurreshtarë me fantazinë e tij.

Një ditë, hyri në klasë, dhe na vecoj disa nga shokët. Fliste me zë të ulët, dhe shikonte anash. Dukej si një plan shumë sekret që e kishtë fantazuar. Pasi u sigurua se nuk po “përgjoheshim” , na tha “kam zbuluar si ndërtohen raketat”. Tha që experimentin duhet ta bënim tek “Brana” sepse mund të zbuloheshim nga policia po që se e provonim në qytet. Te “brana” ishte vendi i tij i preferuar, mbase në mendjen e tij ishte edhe laboratori i tij sekret. Ne u pajtuam dhe u nisëm. Delta ecte i pari e ne pas tij. Rruga për tek “brana” kalon nëpër kodër, dhe ne mezi e përballonim. Ne u lodhëm u rraskapitëm, kurse “Delta” ecte drejt, dhe shumë leht. Herë pas here u ndalke dhe shikonte ku ne kishim mbetur. Kur ofroheshim me shaka thoshte “Hajde more a qekaq shpejt lodhni ju a”.
Më në fund mbrritëm te Brana, u ulum gjithë pas tij dhe shikonim si do ti ekzekutoj raketat e tij.
Delta mblodhi disa shtaga të vogla e të thata, me ato e bëri një si shtëpi të vogël dhe futi një letër në mes, dhe ndezi zjarrin, nxori nga xhepi një çibrit, kapakin andej nga e kishte barutin e kishte shkyer, majën e kokrrave të çibritit i kishte pshtjelluar me një foli e brendshme të cigarës, vendosi cibritin në formë të pjerrët mbi zjarrë, edhe pse kishte temperaturë, baruti i kokave nuk digjej sepse folija nuk i lejonte, kur ju ngritë temperatura edhe më shumë, folija refuzonte zjarrin kurse baruti donte të ndizej, filluan të pëlcasin kokrrat dhe si raketa dilnin nga çibriti një nga një. Mbetëm të habitur të gjithë fëmijët, tha kjo është raketa ime. Ikim tash. Nga lodhja që kishim kaluar tash nëpër atë rrugë duhet të ktheheshim, nga inati filluam të ankohemi dhe i thoshim ishte palidhje, dhe më ne nuk vjimë kurrë mbas teje.

Bardhyl Osmani - Dellta

Delta kishte mbajtur mend fjalët që i kishim thanë, një ditë tjetër prapë sekrete. Këtë herë tha nëse doni me ardhë te brana, do tju tregoj si bëhet bomba. Asnjëri nga shokët nuk e refuzoi , secili nga ne ishim kurreshtarë ta shohim se çfarë po bënte. Këtë herë përvec ftesës për të pa experimentin, delta kishte edhe kërkesë: ai që vjen me vete duhet të ketë një kavanoz xhami (tegull ajvari) dhe nga një guri gëlqere.

Shkuam secili, morëm kavanozet dhe nga një guri gëlqere dhe u takuam me deltën. Ai kishte një cantë të rënd në shpinë, edhe pse ishte më i vogli me trup. Vetëm ne kishim probleme me rrugën e lodhëshme, ai ecte lehtë. Kur arritëm atje na renditi të gjithëve, na tha nxjerrni kavanozat, hapne kapakun dhe leni të gjithë para vetës. Vepruam të gjithë si na tha ai, dikur na tha futne gurin e gëlqerës të gjithë ashtu edhe vepruam. Hoci nga shpinda cantën e celi atë, në të kishte plotë copëza hekuri, na e mbushi çdo kavanoz me këto copëza hekuri. Nga canta nxorri një bakall, shkoi te brana e mbushi me ujë, pas pak u kthy. Na tha dëgjoni, kur ti ces ujë tegllës , ju keni për detyrë vec ta mshelni tegllën dhe të ikni shpejt të fsheheni në atë bregun aty dhe nga aty ta shikoni si po kërset. Delta shpejt i mbushi gjitha me ujë, ne të gjithë vepruam sipas instruksioneve të deltës. Ikëm. U strukëm pas bregut ku na tha ai, i fundit erdhi Delta.
Pas pak filloj guri i gëlqerës të shkrihet brenda në tegull, dikur si tym u formua brenda dhe nuk shiheshin as hekurat që i futëm. Kapaku nuk e lejonte tymin të dalë jashtë, brenda tegullës krijohej një tension që ne nuk e kishim pa asnjëherë. Dikur xhamat filluan të kërcasin si bomba dhe pas shpërthimit hekurat shpërndaheshin në gjitha anët.
Të gjithë ne ishim të habitur, e Delta si zakonisht doli nga bregu i buzqeshur.

Shkuam te vendi i detonimit, na thirri neve dhe na tregonte pasojat e detonimit që I kishte bërë në lëvozhgat e drunjëve për rreth.
Për ata që nuk e kanë njohur Deltën, kjo ishte akademia ushtarake që e kishte kryer ai. Akademi që e kishte përzemër nga fëmirija.
Delta shumë e donte Branën, prandaj ai përgjithmonë jeton aty. kurrë mos keni frik të shkoni te Brana, sepse delta ju ruan. Delta është shumë i madh, ka pas trup shumë të fuqishëm, madje madje delta është më i madhi në botë, dhe askush smundet të fitoj luften kundër deltës.

Delta më i vogli i klasës sime, ishte ushtarë i dy luftrave clirimtare, UÇK dhe UÇPMB në të cilën ra, që ne trupmdhenjët të jetojmë. Thanë së delta u vra, por ai ra, për t’mos vdekur, dhe për të na ruajtur branën.

Bardhyl unë të kujtoj shumë herë. Sa herë përmendet brana, e di që ti je aty.

Për mua je edhe Bardhyl , edhe Delta .

Related Articles

Back to top button