Bujanoc: Iku “Karaxhorgje” erdhi “Skënderbeu”!
Fundi i qershorit, për Parlamentin lokal të Bujanocit, do të mbahet mend, për një vendim të përbashkët të këshilltarëve shqiptarë, të këtij institucioni të lartë vendor, për ndryshimin e emrit të sheshit nga “Karaxhorgje Petroviq”, në “Skënderbeu”.
Një vendim i shumëpritur për ndërrimin e sheshit të qytetit të Bujanocit, u miratua dy muaj e disa ditë, nga zgjedhjet e reja lokale dhe parlamentare në Luginë të Preshevës.
Në mandatin e kaluar të qeverisjes lokale, Partia për Veprim Demokratik, në cilësinë e opozitës pati insistuar disa herë ta fus në rend dite të seancave kuvendore, çështjen e ndërrimit të emrit të sheshit të qytetit, mirëpo pa sukses. Kurse tashti PVD, në cilësinë e pozitës, arriti t’i bashkoj këshilltarët e partive politike shqiptare, për të marrë një vendim me rëndësi për qytetarët e Komunës së Bujanocit.
Odisejada e ndërrimit të rrugëve dhe shesheve në Komunën e Bujanocit, vazhdon qe disa vjet, duke u bërë nganjëherë mollë sherri mes këshilltarëve shqiptaro-serbë, nga të cilët përfitonte Qeveria e Beogradit, e cila mbillte përçarje mes të deleguarve shqiptarë dhe favorizonte me pushtet serbët lokalë.
Çarshia e Bujanocit, flet serbes se ky unifikim i këshilltarëve shqiptarë nuk vjen vetëm me figurën e madhërishme historike të Skënderbeut, por edhe lëvizjet e fundit të pushtetit qendror të Beogradit, i cili në mënyrë selektive bëri spastrim etnik në kreun komandues të stacionit policor në Bujanoc, duke larguar nga pozitat komandosët shqiptarë dhe zëvendësimi i tyre me kuadro serbe si dhe vendosja e shtatores gjigante të Car Lazarit në Mitrovicë të veriut, me rastin e shënimit të Vidovdanit, më 28 qershor, kur para disa vitesh ish satrapi i Ballkanit Millosheviqi, arriti t’i grumbulloj në tubimin e Gazimestanit mbi një milion qytetarë, për ta shuar me gjak e hekur Autonominë e Kosovës.
Vlen të theksohet se Komisionit për emërimin e rrugëve dhe shesheve në Komunën e Bujanocit, viteve të fundit, i patën arritur disa propozime: “Sheshi Skënderbe”, “Sheshi i Tolerancës”, pastaj Sheshi “Nëna Tereze” , “Sheshi i paqes” e kështu me radhë.
Mirëpo, më në fund, triumfoi vullneti politik i shqiptarëve, që Sheshi i Qytetit të Bujanocit, ta marrë emrin e merituar, në përputhje me kërkesat legjitime të këshilltarëve shumicë në parlament, për të sjell një vendim të mirëpritur nga ata që i kanë votuar për t’i përfaqësuar denjësisht në parlament.
Pavarësisht, qëndrimit të Ministrisë së Administratës shtetërore dhe vetadministrimit lokal, në Beograd, se a do ta shpall zyrtare një vendim të këshilltarëve komunalë të Bujanocit, rreth ndërrimit të emrit të sheshit të qytetit në Bujanoc, një akt i tillë i qëlluar do t’i bashkoj edhe më shumë faktorët institucionalë shqiptarë, në rrugën e realizimit të kërkesave të tyre për më shumë të drejta në jetën politike dhe ekonomike të vendit. /Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.