Flet për Srebrenicën në OKB, Bosnja e trajton si heroinë Vlora Çitakun (video e fjalimit)
Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në Kombet e Bashkuara, është shndërruar sakaq në heroinë në Bosnjë, posaçërisht tek popullsia muslimane, për shkak të një fjalimi të saj të mbajtur në selinë e OKB-së, kushtuar përvjetorit të masakrës së Srebrenicës. Media dhe opinioni i atjeshëm e kanë vlerësuar fjalimin e zonjës Çitaku si kurajoz e të guximshëm.
“Vlora Çitaku, ambasadore e Kosovës në SHBA, ka dhënë një leksion para publikut botëror për guxim dhe trimëri, duke numëruar krimet e Serbisë në hapësirat e ish-Jugosllavisë, me theks të veçantë në maskarën e Srebrenicës, duke detyruar kështu Ivica Daçiç të lëshojë mbledhjen i turpëruar”, shkruan portali Bosnjaci.
Ndërsa një qytetare boshnjake, Aida Dediç, përmes një postimi në Facebook ka thurur lëvdata dhe falendërime për znj. Çitaku, ndërkohë që ka kritikuar ashpër ambasadoren e Bosnjës në Këshillin e Sigurimit, Mirsada Colakoviçin, për faktin se diplomatja boshnjake nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme për masakrën e kryer nga Serbia.
Në murin e saj në Facebook, ajo shkruan:
E pabesueshme!
Ambasadorja e Bosnjës në OKB nuk ka guxuar (lexo), i është ndaluar nga sundimtarët e mëdhenj serbë të Bosnjës që të flasë para Kombeve të Bashkuara për gjenocidin dhe për gjithçka që ka të bëjë me Srebrenicën.
Të gjithë e kemi të qartë nga kush i merr instruksionet dhe kush vendos veto për këto çeshtje. Një nënçmim i madh i viktimave të popullit tonë po vazhdon para institucioneve botërore. Asgjë nuk ka ndryshuar që nga ato ditë me vapë të korrikut 1995 kur vrasësit serbë dhe mercenarët e tyre iu vërsulën Srebrenicës në gjah të shpirtrave boshnjakë.
Ajo, ambasadorja Colakoviç, nuk guxoi ta thotë asnjë fjalë, sepse populli ynë është ende nën thundrën e disa njerëzve të së njëjtës parti, udhëheqja e së cilës na ka shkaktuar gjithë ato dhimbje dhe gjithë atë gjenocid.
Përderisa zonja Colakoviç ka frikë, atë frikë nuk e ka ambasadorja e Kosovës, e cila foli qartë dhe me një anglishte të përkryer para OKB-së.
Më vjen keq që nuk e keni dëgjuar fjalimin e saj, në të cilin në mënyrë kronologjike i numëroi një nga një krimet qe ka bërë Serbia. Duke ia përkujtuar që Serbia është ekzekutore e të gjitha krimeve nga Gjerdapi deri në Triglav, e duke përmendur disa herë Bosnjën tonë dhe posaçërisht Srebrenicën.
Ia përmendi të gjitha atë qartë, me aq vendosmëri, pa iu lëkundur qerpiku, e Daçiçin nuk e zinte vendi vend nga sikleti kur po shihte se si ambasadorët e OKB po e ndiqnin me vëmendje ambasadoren e bukur dhe të mençur të Kosovës teksa ia numëronte një nga një krimet në një anglishte të përkryer.
Daçiçi e dinte mirë që luftën aty e kishte të humbur dhe e shikonte me plot urrejtje ambasadoren e bukur dhe të mençur.
Sa do të doja që të gjithë ta dëgjonit fjalimin e saj, të linte përshtypjen sikur të ishte ambasadore e Bosnjës, sikur të ishte përfaqësuesja jonë.
Askush nuk do t’ju vlerësojë dhe t’ju respektojë nëse nuk keni dinjitet dhe nëse nuk e mbroni nderin tuaj.
E nderuara ambasadore e Kosovës, zonjë e bukur, e mençur dhe e drejtë, të falënderoj në emrin tonë”, përfundon kështu një ndër e mesazhet më të ndjera karshi fjalimit të ambasadores Çitaku.