PVD negociata me pozitën për tu bërë pjesë e qeverisë së re
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, që nga fillimi i jetës plurale në ish Jugosllavi, kanë marrë pjesë në institucionet e Serbisë.
Ata kanë udhëhequr në vazhdimësi me pushtetet lokale atje, janë përfaqësuar për disa mandate në parlamentin republikan, por nuk kanë marrë pjesë në Qeverinë e Serbisë. Por, kjo si duket do të ndryshojë në qeverinë e re e cila pritet së shpejti të formohet.
Deputeti i vetëm shqiptarë në parlamentin republikan të Serbisë, Fatmir Hasani, ka bërë të ditur se në takimin e fundit me mandatarin për formimin e Qeverisë së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, janë dakorduar që edhe shqiptarët e Luginës të jenë pjesë e kësaj qeverie.
Hasani, ka thënë se kryeministri Vuçiq është dakorduar që udhëheqja e trupit Koordinues Qeveritarë, ti takoj shqiptarëve, ndërkohë që mësohet se edhe në disa ministri do të ketë zyrtarë shqiptarë.
Përfshirja e shqiptarëve në Qeverinë e Serbisë, ndryshe nga praktika e deri tashme, vlerësohet pozitive edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës, disa herë kanë qenë pjesë e parlamentit republikan, kanë udhëhequr me pushtetet lokale por asnjëherë më parë nuk kanë qenë të përfshirë në Qeverinë e Serbisë. Zyrtarizimi i kësaj pjesëmarrje pritet pas konstituimit të Qeverisë së re në Serbi./B.Rexhepi/