Lajme

Mediat e Kosovës: Rama ia merr të drejtën Kosovës në Beograd për ta furnizuar me libra Luginën e Preshevës

Furnizimi me libra shqip për Luginën e Preshevës duket se do të marr fund shpejt. Por, këto libra në Luginë nuk do të shkojnë nga Kosova, këtë pritet ta bëjë Shqipëria. Të paktën një pretim të tillë e ka dhënë vet kryeministri Edi Rama, gjatë qëndrimit në Beograd. Zgjedhjen e problemit më furnizim me libra e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

“Dje, me përfaqësuesit e Luginës së Preshevës e Bujanovcit dhe të zgjedhur shqiptarë të asaj treve në Kuvendin e Serbisë, u bë një bilanc i përgjithshëm i situatës në Luginë dhe u vendosën disa pika për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit. Pas zgjidhjes së problemit të njohjes së diplomave nga Beogradi, pika e parë e rendit të ditës është zgjidhja e problemit të teksteve shkollore në gjuhën shqipe. Sot kryeministri Vuçiç, në takimin e përbashkët të zhvilluar në Nish me të njëjtën përfaqësi, u angazhua se do ta mundësojë kalimin e teksteve tona shkollore në Luginën e Preshevës”, ka shkruar në profilin e tij në Facebook, kryeministri i Shqipërisë Edri Rama.

Deklarimit të Ramës i është përgjigjur edhe kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi. Ai ka thënë se problemit të zgjidhjes së teksteve shkollore po i vjen fundi.

“Problemit të zgjidhjes së teksteve shkollore po i vjen fundi. Gjatë një takimi me kryeministrin e Shqipërisë, z.Edi Rama dhe kryeministrin e Serbisë, z.Aleksandër Vuçiq u dakorduam parimisht që tekstet shkollore për nxënësit e Luginës së Preshevës të vijnë nga Republika e Shqipërisë.” ka thënë kryetari i komunës së Preshevës Shqiprim Arifi.

Tani e një kohë të gjatë dy kamionë të mbushur me më shumë se 100 tekste shkollore në gjuhen shqipe, janë bllokuar në kufirin me Preshevën.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, më 10 shtator kishte bërë të ditur se MAShT-i ka filluar bashkëpunimin me ministrin e Arsimit të Serbisë, lidhur me tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë që jetojnë në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc./Gazeta Express/.

Related Articles

Back to top button