Përfundon faza e parë e negociatave për finalizimin e investimit për hapjen e fabrikës së këpucëve
Pas një mori aktivitetesh të ndërmarra bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe një seri të vazhdueshme negociatash mes përfaqësuesve të Ministrisë së ekonomisë në Beograd, si dhe përfaqësuesit të kompanisë Solid nga Theranda, u arrit të kurorëzohet me marrëveshjen për hapjen e fabrikës së parë në Preshevë për prodhimin e këpucëve , e cila do të fillojë në muajin shkurt 2017.
Fillimisht prodhimi do të fillojë me 70 punëtorë me synim të zgjerimit të numrit të punëtorëve deri në 100, brenda 2-3 viteve të ardhshme. Fuqinë punëtore kryesisht do t’a përbëjnë femrat deri në nivelin 80%.
Puna në prodhimin e këpucëve do të realizohet në hapësirat e ish Ndërmarrjes “ÇIK” e cila tashmë gjendet në fazën e likuidimit, duke paguar një shumë simbolike të qerasë që do të subvencionohet nga Komuna e Preshevës, kurse në aspektin afatgjatë, kompania do t’i vendosë kapacitetet e saj prodhuese ne Zonën Industriale.
Investimi do të shoqërohet edhe me risinë e inicimit të degës së këpuctarisë në kuadër të shkollës së mesme teknike “Presheva” në Preshevë, ku nxënësit preshevarë përveç aftësimit teorik, do të kenë mundësinë e mbajtjes së praktikës në fabrikën e këpucëve, që garanton një aftësim cilësor sipas standardeve europiane per të qenë sa më konkurrent në tregun e punës.
Ditën e nesërme do të bëhet nënshkrimi i marrëveshjes së partneritetit mes Komunës së Preshevës dhe kompanisë Solid nga Theranda.