Opozita: Riza Halimi vepron me direktivat e sponosrizuesve të fushatës
Edhe pse doli partia e tretë në zgjedhje, Partia për Veprim Demokratik, prapa së cilës ende aktivisht qëndron Riza Halimi, ka arritur që të vendosë Ardita Sinanin për kryetare të Preshevës.
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i cili drejton këtë parti prej 25 vjetësh, që nga vitet 90-të, dhe në zgjedhjet e fundit u radhit vetëm partia e tretë me 10 këshilltarë, arriti ta vendosë njeriun e saj për ta udhëhequr komunën e Preshevës.
Pas disa makinacioneve politike dhe koalicioneve me dy parti të vogla, ai arriti të vendosë Ardita Sinanin, si kryetare të komunës së Preshevës, nga kryetare e Kuvendit Komunal që ishte në kolaicionin me Partinë që drejtohet nga kryetari tashmë i shkarkuar, Shqipërim Arifi.
Në zgjedhjet që u mbajtën në vitin 2016, partia e parë doli PDSH e udhëhequr me 14 këshilltarë, APN me 11 këshilltarë, ndërsa PVD e Riza Halimit mori vota për vetëm 10 këshilltarë. Por pavarësisht se doli partia e tretë, PVD hyri në pushtet përmes kolaicionit me APN-në, duke larguar nga pushteti kryetarin e PDSH-së Ragmi Mustafa, i cili për vite të tëra udhëhoqi me komunën e Preshevës, largim i cili gjithashtu u festua me shumë zhurmë
Dy partitë u pajtuan për zgjedhjen e Shqipërim Arifit për kryetar të APN-së, ndërsa PVD mori pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshëvës, pozitë në të cilën u emërua Ardita Sinani. Pavarësisht faktit që PVD mbetej në pushtet vetëm duke qenë partia e tretë, kryetari i saj ka arritur të bëj një veprim të pabesueshëm, duke prishur kolicionin pa u mbushur viti. Me dy parti të vogla, ai mori pozitën numër një në Preshevë, atë të kryetarit, duke shkarkuar kryetarin e tanishëm Shqipërim Arifi.
“ Me të filluar realizimi i programit politik, i cili ishte i orientuar kryesisht në zhvillimin ekonomik të komunës së Preshevës, pas shkëputjes së grupit të këshilltarëve nga rradhët e PDSH-së, u krijuan mundësitë e kalkulimeve të koalicioneve tjerë, edhe pse nuk paraqesin ndonjë opcion të qëndrueshëm të sigurimit të një perspektive më të mirë popullatës së lodhur të komunës së Preshevës nga një politikë demode e shekullit të kaluar. Ambiciet personale e grupore të akterëve tashmë të dëshmuar me mentalitetin e shtypjes dhe sundimit të popullatës së papërkrahur, si dhe xhelozia dhe frika nga subjekti i ri Alternativa për Ndryshim, që do të sjellë sukseset e saj në politikëbërje, mobilizuan katër subjekte për të rimarrë në dorë pushtetin e humbur që populli ia hoqi nga duart e tyre me votën e lire”, tha kryetari i deritanishëm, Shqipërim Arifi .
Sipas tij, është instaluar pushteti i vjetër i Riza Halimit, pas trysnisë se kompanive sponzoruese gjatë fushatës zgjedhore. “Riza Halimi detyrohet nga sponzoruesit e fushatës zgjedhore të largoj partnerin qeverisës. Riza Halimi instaloi gardën e vjetër në pushtetin lokal të Preshevës. Ky formacion tashmë i krijuar në baza të interesave personale e grupore, pa asnjë parim apo vizion politik, i cili dje në mënyrê procedurale, arriti të kurorëzojë idenë e krijimit artificial të një koalicioni të numrave të ulëseve në Kuvend, që vetëm në aspektin formal pêrmbushë kushtin për të qeverisur me komunën e Preshevës.
Ky formacion paraqet në tërësi mentalitetin e vjetëruar dhe postkomunist, i cili e ka shqetësuar dhe dëshpëruar popullatën e komunës së Preshevës dhe bashkatdhetarët në diasporë, të cilët nuk i kanë mirëpritur fare këto avantura politike”, theksoi Arifi për RTK-në. Edhe PDSH ka dalë me një qëndrim, sipas të cilës, Kryetarja e deritanishme e Kuvendit Komunal Ardita Sinani, ka shkelur rregulloren e punës.
“ Seanca e sotme e Kuvendit komunal e thirrur nga kryetarja e Kuvendit si seancë e parë e rregullt për vitin 2017 ishte në kundërshtim me Rregulloren e punës së Kuvendit Komunal dhe statutit të Komunës së Preshevës sepse e njejta ishte thirrur vetëm një ditë para mbajtjes. Nga kjo seancë e Kuvendit Komunal ,Partia Demokratike Shqiptare si dhe i tërë opinioni qytetar kuptuan se kemi të bëjmë me marrëveshje të fshehtë qeverisëse ku si partner janë Partia për Veprim Demokratik, nëntë këshilltarët e NDARË nga Partia Demokratike Shqiptare, Bashkimi Demokratik i Luginës dhe Unioni Demokratik Shqiptar”, thuhet në reagimin e kësaj partie. /rtklive/