Organizatat që veprojnë në Komunë të Preshevës ditëve në vijim do të organizojnë një protestë gjithpopullore për të shprehur pakënaqësitë që po i bëhen popullatës së këtushme shqiptare.
Sipas bashkëbiseduesve, dalja e qytetarëve në rrugë është si rezultat i dhënies së mirënjohjes kryeministrit të Serbisë Aleksandar Vuçiq nga ana e kryetarit të Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa si dhe padrejtësitë e mëdha që po iu bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e Qeverisë së Serbisë që po e drejton Vuçiq.
Andaj, me iniciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇPMB-së shoqëria civile preshevare është dakorduar për mbajtjen e protestës.
Kryetari i OVL-së së UÇPMB-së Nazmi Hajredini tha se për shkak të pakënaqësive të mëdha të popullatës së Preshevës lidhur me të drejtat e cenuara nga shteti serb dhe lidhur me dhënien e mirënjohjes kryeministrit serb Vuçiq nga ana e kryetarit të komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, kanë marrë vendimin për protestë.
“Morëm iniciativën për mbajtjen e një proteste gjithpopullore në Preshevë e cila do të jetë publike javën e ardhshme, ku aty do të shpalosen kërkesat dhe konkluzionet tona”, u shpreh Hajredini.
Këtë iniciativë e ka përkrahur edhe kryetari i Kuvendit të Referendumit për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, Ibrahim Kadriu.
“Unë si kryetar i Referendumit të 1 dhe 2 marsit të vitit 1992 e përkrahi fuqishëm këtë iniciativë të OVL-së për mbajtjen e kësaj proteste, meqenëse dëshira dhe vullneti i popullatës së Luginës së Preshevës i shprehur në Referendum, jo vetëm që nuk u senzibilizua, por edhe u margjinalizua”, i tha portalit informativ Titulli.com Ibrahim Kadriu.
Ai mëtej nënvizoi se “rinia e Luginës së Preshevës nga pakënaqësitë e tyre rrokën armët në dorë dhe luftuan kundër Serbisë për ta aktualizuar çështjen shqiptare dhe për t’i fituar të drejtat tona të cilat tani janë të cenuara plotësisht, andaj jemi duke u koordinuar me OVL-në për mbajtjen sa më me suksese të kësaj proteste”.
Edhe Reshat Avdiu kryetar i Shoqatës së Muhaxhirëve me seli në Preshevë ndanë të njëjtin mendim.
“Ne si Shoqatë e Muhaxhirëve gjithmonë i kemi përkrahur dhe do ta përkrahim çdo nismë të çdo proteste me qëllim të senzibilizimit dhe të mbrojtjes së interesave kombëtare të këtyre trevave. Është shumë e vërtetë se popullata e këtushme ballafaqohet me shumë padrejtësi të cilat historia i ka qit në pah çdo herë, andaj edhe ne e përkrahim dhe e mbështesim iniciativën për protestë”, u shpreh Avdiu.
Sadik Sadiku përfaqësues i grupit të Besëlidhjes shqiptare shprehet se “ne e përkrahim si grup këtë iniciativë, sepse çdo përpjekje për senzibilizimin e çështjes shqiptare është e përkrahur nga ne dhe e mbështetur fuqishëm drejt bashkimit të trojeve shqiptare”.
Këshilli Integrues i Shqiptarëve të Kosovës Lindore (KISHKL) në takimin e mbajtur sot (e shtunë) në Preshevë dha mbështetjen për këtë organizim.
Përfaqësuesi i KISHKL, Sali Salihu, tha për Titulli.com se situata e krijuar lenë pasoja tek popullata shqiptare në këtë rajon.
“Duke e parë pozitën e rëndë politike, ekonomike dhe të sigurisë të popullatës sonë, e cila është e mjeruar dhe tepër e brishtë kemi vendosur që edhe ne ta mbështesim protestën”, tha Salihu.
Ai mëtej theksoi se kjo gjendje e rëndë ka sjell dhe sjell pasoja të rënda politike tek popullata shqiptare.
“Ne i mbështesim ligjet ndërkombëtare të cilat instalojnë drejtësi të plotë, ndërsa jemi kundër ligjeve diskriminuese dhe të devalvuara të Serbisë. Popullata është në gjendje të rëndë, kjo po shihet qartë, andaj edhe ne e përkrahim iniciativën për mbajtjen e një proteste gjithpopullore të Kosovës Lindore”, përfundoi Sali Salihu.
Sipas kryetarit të OVL-së UÇPMB-së Nazmi Hajredini data e mbajtjes së protestës do të bëhet publike javën e ardhshme, ndërsa këtë iniciativë të OVL-së në mënyrë direkte apo indirekte e përkrahin mbi dhjetë shoqata joqeveritare dhe shoqëria civile. © Titulli.com