Ofruan 70 mijë franga për tu shpërngulur në një fshat piktoresk, zviceranët bien në hall. Ja ç’ka ndodhur
Të gjithë e kujtojmë lajmin që qarkulloi përpara disa ditësh, ku Zvicra ofronte 70 mijë franga për njerëzit që do të shpërnguleshin në një fshat alpin.
Impakti për këtë lajm paska qenë më i madh se sa mund ta kishte menduar qeveria zvicerane, pasi së fundmi po përballet me një fluks të madh kërkesash për tu zhvendosur në atë vend.
Mësohet se njerëz nga e gjithë bota janë shprehur të gatshëm për të jetuar aty, pasi mesa duket oferta ishte shumë tunduese për ta. Por, komunarët e Albinenit duket të jenë penduar për hapin e bërë. Ata ndjehen përnjëherë të mbingarkuar nga kërkesat.
“Nga të gjithë ata që janë paraqitur në komunën Albinen, në rastin më të mirë vetëm një në njëqind mund të merren seriozisht si aplikues”, thonë në komunë.
Por, të zhgënjyer do të ndahen e gjithë ajo mori e njerëzve nga shumë vende të botës të cilët ia kanë mësyrë fshatit me qëllimin e vetëm për të përfituar.
Kjo në radhë të parë për faktin se të huajt që mund të merren në konsideratë, duhet të kenë lejen e qëndrimit të përhershëm në Zvicër, vizën C. Dhe jo vetëm kaq.
Nga oferta mund të përfitojnë vetëm ata që mund të dëshmojnë se kanë një projekt që i plotëson kushtet ose ndonjë kontratë të certifikuar blerjeje shtëpie në këtë fshat si dhe të dëshmojnë se mund të investojnë aty së paku 200 mijë franga.