Sot në Konçul, i është dhënë lamtumira e fundit veprimtarit të çështjes kombëtare, Jonuz Musliut.
Në vendlindjen e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit dhe të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, në fshatin Konçul, për t’i dhënë lamtumiren e fundit Musliut, ishin mbledhur udhëheqës të Luginës së Preshevës, ish luftëtarë të UÇPMB-së, qytetarë të shumtë të Luginës, kurse nga Kosova ishte deputeti i PDK-së, Nait Hasani dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Për ta nderuar veprimtarinë e Musliut, sot në Gjilan janë bërë homazhe dhe është mbajtur një akademi komemorative.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe pranë arkivolit të veprimtarit Jonuz Musliu, për të cilin ka thënë se ishte një atdhetar që jeta e tij kishe veç një kuptim, siç është përpjekja për të drejtën e popullit të tij.
Kurse kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha se Jonuz Musliu aq shumë e ka dashur vendin, atdheun, kombin sa që ia ka kushtuar gjithë jetën e vet. I ndjeri Musliu ishte kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit dhe kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës. I lindur në vitin 1959, Musliu ishte i burgosur politik, ndërsa ka drejtuar Këshillin Politik të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin liri në Luginë. Pas përfundimit të konfliktit, në pranverën e vitit 2001, me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës./KosovaPress/