Zëvendësministri Dedaj e quan Turqinë “shtrigë të Ballkanit” vjen reagimi edhe i kryeministrit Haradinaj
Zëvendësministri Dedaj e quan Turqinë “shtrigë të Ballkanit” vjen reagimi edhe i kryeministrit Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë.
Një reagim i tillë i Haradinajt ka ardhur pasi Gjergj Dedaj, zëvendësministri i Punëve të Jashtme, të dielën përmes një postimi në Facebook ka thënë se Turqia dhe Serbia synojnë rikthimin e tyre strategjikë në Kosovë, përmes emisarëve të tyre.
Madje, ish-lideri i Partisë Liberale të Kosovës, këto dy shtete i ka quajtur ‘Shtriga të Ballkanit’.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh qëndrim se, deklarimet mediale që kanë përmbajtje gjuhën fyese ndaj Republikës së Turqisë, nga kushdo qofshin, janë të papranueshme dhe nuk paraqesin politikën zyrtare të Qeverisë Haradinaj, as kur ato thuhen nga ndonjë zyrtar i kësaj qeverie apo kushdoqoftë tjetër”, thuhet në reagimin e Haradinajt.
Sipas tij, këto deklarime, nuk paraqesin as dëshirën e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për ruajtjen e marrëdhënieve tashmë tradicionalisht të mira që ka Republika e Kosovës me Republikën e Turqisë dhe popullin turk.
Ndërkohë deputetët e Grupit 6+ kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, që deri në fund të javës ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj.
Në kërkesën e deputetëve të Grupit 6+ thuhet se Dedaj ka fyer, ofenduar dhe nënçmuar komunitetin turk.