Lajme

Arifi: Jemi kundër ndarjes së pjesshme të Luginës dhe nuk duam ta dëmtojmë Kosovën

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka theksuar se ideja e korrigjimit të kufirit në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk duhet të realizohet duke e dëmtuar Republikën e Kosovës.

Arifi, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se çdo lëvizje eventuale e kufijve duhet të bëhet mbi tri baza, e ajo është: mosdëmtimi i Kosovës, moslejimi për ndarje të pjesshme të Luginës në ndonjë ndryshim eventual, dhe marrja e çdo vendimi në harmoni me qëndrimet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Arifi ka theksuar se nuk dëshiron që ta vlerësojë nëse është koha e duhur tash ose jo që tema e Luginës të përfshihet në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, por që, sipas tij, duhet të analizohet se cfarë mund të nxjerrim nga situata e krijuar.

I pari i Preshevës ka folur edhe për atë që ai e quan mungesë të përkujdesit të dy shteteve shqiptare në raport me Luginën e Preshevës, duke theksuar se ata aktualisht kanë mbetur pa përkrahje institucionale nga Tirana dhe Prishtina, por me një kujdes të shtuar nga Ambasada e SHBA-ve dhe ajo e Gjermanisë në Serbi.

Ndryshe, Arifi e ka ritheksuar faktin se Lugina e Preshevës historikisht ka kërkuar që të jetë pjesë integrale e Kosovës.

Related Articles

Back to top button