Kurti Kamberit: Korrigjimi i kufijve është i rrezikshëm
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti sot ka pritur në takim një delegacion i Komunës së Bujanocit, i udhëhequr nga kreu i kësaj komune, Shaip Kamberi.
Përmes një njoftimi, “Vetëvendosje”, ka bërë të ditur se në këtë takim është diskutuar edhe për korrigjimin e kufijve.
“Kurti e informoi Kamberin rreth diskutimeve që kishte Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ai e konsideroi joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të Presidentit Thaçi, meqenëse korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra”, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e “Vetëvendosjes”.
Njoftimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje pa ndërhyrje:
Në vazhdim të tryezës për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc të cilën e organizoi Lëvizja VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës në fund të muajit korrik, Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Albin Kurti, i shoqëruar nga z. Hydajet Hyseni, Kryesues i Këshillit të Përgjithshëm, dhe, deputetja znj. Fitore Pacolli, priti në takim Kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Shapi Kamberi, dhe, shefin e kabinetit të tij, z. Rahim Salihu.
Z. Kurti e informoi z. Kamberi rreth diskutimeve që kishte Kryesia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në mbledhjen e saj të djeshme rreth zhvillimeve të fundit që prekin komunat e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Ai e konsideroi joadekuate dhe të rrezikshme shprehjen “korrigjim i kufijve” të Presidentit Thaçi, meqenëse korrigjim i kufijve do të thotë korrigjim aty-këtu i ndonjë hapësire të vogël me ndonjë fshat, zabel a kodrinë, por jo përfshirje e një krahine të tërë siç është zona e komunave të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, e që duhet të trajtohen si tërësi dhe jo të ndara nga njëra-tjetra.
Z. Kurti tha se respektimi i referendumit të vitit 1992 është zgjidhja e vetme e drejtë duke shtuar se Serbia duhet që ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të paguajë për dëmet e shumta të luftës dhe okupimit.
Të dy palët u pajtuan për kontakte, komunikim, takime e bashkëpunim të vazhdueshëm.