Kryeministri serb Aleksandar Vuçiq ka përsëritur qëndrimin e Beogradit zyrtar në lidhje me statusin e Kosovës, duke thënë se kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e saj.
Në një intervistë për gazetën zvicerane “Neue Zuricher Zeitung”, kreu i qeverisë serbe ka thënë se edhe marrëveshjet e nënshkruara me Kosovën në Bruksel nuk janë bërë për shtetin më të ri në Europë, por për të mirën e serbëve që jetojnë atje, transmeton shekulli.
Vuçiç ka kujtuar se qëkur ka filluar dialogu, Serbia sipas tij, ka bërë shumë kompromise të cilat populli serb nuk është i kënaqur.
Por, sipas tij ato janë bërë me qëllimin e mirë që të sigurohen jeta dhe garancia e serbëve në Kosovë dhe që Serbia ta ketë më të lehtë rrugën e integrimit europian.
“Megjithatë ne nuk jemi të gatshëm ta njohim Kosovën si shtet të pavarur. Shpresoj që Brukseli të mos presë më shumë nga Serbia”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk mendon që Kosova de facto është e pavarur.
Kujtojmë që një nga kushtet kryesore që Brukseli i ka vënë Serbisë për integrimin në BE është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe njohjen e kësaj të fundit.