Lajme

Fatos Aliu: Politika kosovare u tregua e padenjë në raport me Preshevën (VIDEO)

Bashkorganizatori i Referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës, Fatos Aliu, ka kritikuar ashpër partitë politike kosovare, duke nënvizuar se ato janë treguar të padenja në raport me Luginën e Preshevës.

Në Zona e Debatit ai ka deklaruar se Lugina po përballet me shkelje drastike të të drejtave të njeriut, duke kërkuar që jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria të kujdesen për shqiptarët e kësaj treve.

“Ne kemi shpresuar gjithmonë që me ndryshimet në të 90-at do të vinte mundësia e shqiptarëve. Normalisht që e kemi ditur se ne as e kemi krijuar Jugosllavinë, as mund ta shkatërronim. Por kontradiktat po”.

“Serbia është krijuar në kurriz të trojeve shqiptare. Parimet e vetëvendosjes u shkelën pas Luftës së Dytë Botërore. U vranë njerëzit më atdhetarë që i mbronin ato parime”.

“Në Preshevë ishte momenti në të 90-at që ta shfrytëzonim dhe ta shihnim vullnetin e popullit”.

“Por ky proces nuk ndodhi. Përkundrazi. Ndodhi degradimi i popullatës. Është shkelje ekstreme e të drejtave të njeriut”.

“Partitë politike të Kosovës nuk janë treguar të denja në raport me Preshevën. Ata nuk kanë folur asnjëherë me jashtë për të. Kjo tregon vet. Në të gjitha këto bisedime nuk është folur kurrë për këtë kartë, të paktën si diskutim. Është një absurd sui-generis”.

“Ne kemi hyrë në bisedime pa e kushtëzuar Serbinë, që është elementare në politikë. Kur Serbia nuk të njeh dhe në kushtetutë e ka Kosovën pjesë të Serbisë, atëherë nuk mund të jesh i barabartë në bisedime. Presheva është barrë mbarëkombëtare, edhe e Shqipërisë. Është e vërtetë që përgjegjësia më e madhe është në Kosovë. Por mbi të gjitha është përgjegjësia kombëtare dhe Shqipëria e ka pjesë të kushtetutës për shqiptarët kudo që janë”.

Related Articles

Back to top button