Cili ishte kontributi i Shtetit Osman në infrastrukturën e rrugëve tokësore në Ballkan?
Rrugët në Ballkan, ashtu si në çdo vend të rruzullit tokësor, me shekuj mbetën në atë mënyrë siç i ofroi natyra apo në një formë të ngjashme. Në anën tjetër drejtimi i rrugëve u përcaktua edhe nga ana e shteteve nën sovranitetin e të cilëve ishin ato po aq sa nga vet natyra.
Me kalimin e Ballkanit në administrimin e Shtetit Osmanë, ky rajon hyri në një proces kur u zhvilluan rrugët dhe qytetet, u rregulluan kushtet e jetesës dhe ku rendi shoqëror e jeta sociale pësuan ndryshime të mëdha. Ashtu siç thotë historiani i njohur turk, Ilber Ortayli Perandoria Osmane ka bërë më shumë investime në Ballkan se sa në Anadoll.
Me marrjen e Kalasë Çimpi në afërsi të Galipolit në vitin 1352, Perandoria Osmane hodhi edhe hapat e para në Ballkan. Kjo u pasua nga një periudhë 350-vjeçare e përparimit të osmanlinjve drejt Evropës Qendrore. Në qytetet ballkanase, të cilat kaluan nën administrimin e osmanlinjve, u ndërtuan rrjetet e ujësjellësit, çezma, banja turke, biblioteka e ura, ndërsa u jetua një zhvillim kulturor.
Ndërkohë që osmanlinjtë zhvillonin sistemin rrugor të tyre, ata përfituan në masë të madhe nga rrugët e mbetura nga periudha mesjetare. Edhe rruga tokësore, e cila lidhë Stambollin me Beogradin nëpërmjet Sofjes, gjatë periudhës osmane shërbeu si linjë kryesore e transportit. Kështu që osmanlinjtë këtë rrugë të quajtur “Orta Kol” (Dega e mesme) u përpoqën ta mbajnë më mirë në krahasim me rrugët tjera për shkak të rëndësisë ushtarake dhe tregtare që kishte ajo.
Edhe rruga “Via Egnatia” e ndërtuar nga romakët, e cila shtrihet prej Durrësit ose Vlorës në Shqipëri e deri Stamboll nëpërmjet Selanikut, është përdorur nga ana e osmanlinjve me disa ndryshime të bëra, ndërsa u quajt “Sol Kol” (Dega e majtë).
Ndërkaq rruga e quajtur “Sag Kol” (Dega e djathtë) e cilat lidhë Stambollin me Krimenë dhe që shtrihet përgjatë brigjeve perëndimore të Detit të Zi, nuk ishte edhe aq aktive nga aspekti ushtarak, por luajti një rol të rëndësishëm në transportin e mallrave si grurë, mish dhe kripë për në Stamboll.
Krahas marrjes nën kontroll dhe përdorimit të rrugëve të mbetura nga periudha antike dhe ajo mesjetare, osmanlinjtë kanë ndërtuar edhe rrugë të reja dhe riparuan rrugët e vjetra në bazë të nevojave të tyre.
Ndërsa për të lehtësuar transportin osmanlinjtë përgjatë rrugëve kryesore ndërtuan edhe bujtina. Më vonë gjatë periudhës së administrimit të osmanlinjve në Ballkan veçanërisht në shekullin e 18-të dhe 19-të, relativisht u zvogëlua edhe rëndësia që i kushtohej rrugëve tokësore.
Duke filluar nga shekulli i 19-të udhëheqësit osmanë treguan më shumë interesim në ndërtimin e linjave hekurudhore në Ballkan. Osmanlinjtë kishin nevojë për këto linja për të ruajtur rendin dhe qetësinë në rajonet e largëta dhe në këtë mënyrë të ruajnë edhe tërësinë territoriale të vendit.
Përveç arsyeve ushtarake dhe të sigurisë, në saje të këtyre linjave do të lehtësohej edhe hapja në botë nëpërmjet porteve detare të sektorit osmanë të bujqësisë, ndërsa besohej se do të rriten edhe të ardhurat nga taksat që do të mblidheshin nga tregtia e jashtme dhe taksat doganore.
Për shkak të pamjaftueshmërisë financiare, një pjesë e madhe e linjave hekurudhore të osmanlinjve në Ballkan u ndërtuan me anë të kapitalit të huaj me sistemin e “garancës për kilometër”. Kjo garancë ishte një qasje e zhvilluar për të nxitur kapitalin e huaj për të investuar. Sipas kësaj shteti kompanisë, e cila ndërton linjën hekurudhore, i garantonte norma minimale të të ardhurave për kilometër.
Linja e parë hekurudhore e ndërtuar nga osmanlinjtë në Ballkan është ajo e ndërtuar në vitin 1860 që lidhte qytet Konstanca dhe Cernavoda të Rumanisë së sotme dhe ishte e gjatë 66km.
Gjashtë muaj pas ndërtimit të kësaj linje u përurua edhe linja tjetër që lidhte qytetet Rusçuk dhe Varna në Bullgari që ishte e gjatë 224km. Në saje të këtyre linjave lumi Danub dhe Deti i Zi u lidhën me njëri-tjetrin me linja hekurudhore dhe në këtë mënyrë u zgjidh edhe problemi i transportit që jetohej në 241 kilometrat e fundit të lumit Danub.
Linja më e gjatë hekurudhore në Ballkan e ndërtuar nga ana e osmanlinjve është linja lindore. Më 17 prill të vitit 1869 mes bankierit nga Munihu, Mority von Hirsch dhe qeverisë së osmanlinjve u nënshkrua një marrëveshje për ndërtimin e linjës hekurudhore që do të lidhte Stambollin me Vjenën. Mirëpo marrëveshja origjinale e nënshkruar mes Hirsch dhe osmanlinjve ka ndryshuar për shkaqe të ndryshme.
Një zhvillim i rëndësishëm që mundësoi përfundimin e linjës lindore të hekurudhës ishte Kongresi i Berlinit i mbajtur më 13 korrik 1878. Kongresi i Berlinit, i cili riorganizoi hartën e Ballkanit në mënyrë për të siguruar stabilitetin në rajon të fuqive të mëdha, krijoi edhe mundësi për të siguruar detyrime financiare të projekteve të linjave hekurudhore në Serbi, Rumani dhe Bullgari.
Posaçërisht Serbia dhe Bullgaria u mbajtën përgjegjëse për të ndërtuar linjat hekurudhore në territoret e tyre që do të lidhnin linjat hekurudhore të Perandorisë Austro-Hungareze me ato të Perandorisë Osmane.
Si përfundim u ndërtua edhe linja lindore dhe më 12 gusht 1888 nga Vjena u nis treni i parë në drejtim të Stambollit. Në saje të linjës lindore të hekurudhë mes Stambollit dhe Beogradit, kohëzgjatja e udhëtimit që zgjaste 10 ditë nëpërmjet rrugëve tokësore, u ulë në 30 orë. Ndërkaq koha e udhëtimit mes Parisit dhe Stambollit që kanë një distancë 2.897km u ulë në 96 orë.
Perandoria Osmane, e cila hyri në një obligim të madh financiar, në rajonin e Ballkanit ndërtoi linja hekurudhore në gjatësi 2.512km. Ndërsa pas pavarësimit të vendeve të Ballkanit nga linjat në fjalë osmanlinjve ju mbeti vetëm një borxh i madh.