Lajme

Sfidat e sigurimit të teksteve shkollore shqip për shqiptarët në Serbi

Nxënësit shqiptarë që mësojnë në shkollat e Serbisë nuk kanë mundësi të mësojnë me tekste në gjuhën shqipe për shkak të mungesës së tyre dhe bllokadave në sigurimin e librave.

Veçanërisht, në zonat shqipfolëse të Serbisë janë të ndaluara librat shqip të historisë e gjeografisë që mund të kenë elemente nacionale.

Në problemin e vazhdueshëm për mungesën e librave është marrë edhe Këshilli Nacional Shqiptar që tani pritet të bëhet me drejtues të rinj.

Lidhur me çështjen e teksteve shqip në emisionin ‘Jeta në Kosovë’, debatuan kandidatët për kryetar të Këshillit Nacional Shqiptar.

Salih Salihu nga Partia Demokratike premtoi se do të mundohet t’i sigurojë tekstet shqip për nxënësit shqiptarë atje.

“Ne kemi mungesë të librit të Kimisë dhe Biologjisë. Ne librat shkencorë do të mundohemi t’i përkthejmë. Librat tjerë do të mundohemi t’i sigurojmë sipas ligjeve në fuqi. Libri i historisë lejohet që 30 përqind të jetë histori kombëtare”, tha ai

Ragmi Mustafa nga Partia për Veprim Demokratik premtoi se të gjitha tekstet që mungojnë do të sigurohen përveq gjeografisë dhe historisë.

“Unë propozoj modeli kroato-serb. Ne kemi autorë lokalë, gjithashtu mungojnë 43 tekste për shkollat fillore. Ne duhet të bijmë punën që të na munojnë një tekst e dy tekste, jo më shumë. Të gjitha do ti kemi deri në fund mandatit përveq historisë dhe gjeografisë”, tha Mustafa.

Enver Mehmeti nga Partia Demokratike Shqiptare në anën tjetër tha se nuk duhet të lëshohet pe sa i përket librave me tema nacionaliste.

“Serbia është shkelësja më e madhe e ligjeve të veta. Nëse lëshojmë pe dhe nëse vijmë një ditë që fëmija im të mësojë që të parët tanë janë sllavë do të më vie turp që jam pjesë e Këshillit Nacional”, tha Mehmeti.

Ndërkaq, Arbër Pajaziti nga Alternativa për Ndryshim, tha se duhet qasje më pragmatike në këtë temë.

“Duhet bërë një zgjidhje e përkohshme derisa të bëhet ajo afatgjate. Ne shohim zgjidhjen te përkthimi i teksteve. Ne mund të gjejmë metoda tjera. Duhet një qasje më pragmatike. Përveq historisë, gjeografisë i premtojmë të tjerat”, tha Arbër Pajaziti

Muharrem Salihu nga Forumi Shqiptar tha se për çështjen e librave duhet të paditet në Gjykatën e Strasburgut.

“Duhet të paditet Serbia në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg”, tha Salihu.

Të ftuarit në debat flasin për çështje të ndryshme që i preokupojnë shqiptarët në Serbi si për përdorimin e flamurit shqiptar në Serbi, furnizimin e nxënësve me libra shqip dhe përfaqësimin gjinor në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.

Ndërkaq në pjesën e parë të këtij emisioni u transmetua intervista me drejtorin e shkarkuar të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Ekrem Hajdari.

Emisionin e plotë ‘Jeta në Kosovë’, mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm:

Related Articles

Back to top button