Hashim Thaçi garantonë Presheva do të përfshihet në marrëveshjen përfundimtare (Video)
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi pas takimit me Ekipin Negociator, në një konferencë për media ka thënë se dokumenti të cilin ua ka dorëzuar Ekipit Negociator përfshinë sfondin e fazës përfundimtare të dialogut
“Në këtë dokument janë të paraqitura pozicionet e përgjithshme të palës kosovare në takimet e zhvilluara me përfaqësuesit e BE në Bruskel. Në këtë dokument përfshihen edhe vërejtjet , sugjerimet që kemi dhënë ne si zyre e presidentit që do të jenë të rëndësishme për shfrytëzim nga Ekipi Negociator…gjithashtu ky dokument informues përfshinë çështje specifike të diskutuara në fazën përfundimtare si: të pagjeturit, personat e zhvendosur, trashëgimia kulturore, çështja e pronave, të drejtat e minoriteteve dhe komuniteteve jo shumicë, kthimi i artefakteve arkeologjike dhe etnologjike, është kërkuar që të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë fazës teknike dhe politike të dialogut të implementohen si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, zbatimi i kësaj marrëveshje në përgjithësi etj”, ka thënë Thaçi.
Presidenti Thaçi ka theksuar se synimi i të gjithëve është arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese në rrafshin ndërkombëtar që garanton anëtarësimin në OKB, njohjen nga Serbia.
“Marrëveshja gjithëpërfshirëse nënkupton se nuk do të ketë kurrë më luftë mes Kosovës dhe Serbisë, do të ketë kufij sipas standardeve Evropiane dhe Kosova do të jetë multientike e nuk do të jetë e ndarë në baza etnike”, tha Thaçi, duke shtuar se beson se diçka e tillë pavarësisht vështirësive të mëdha do të arrihet.
Presidenti shtoi se vazhdon të besoj edhe më fuqishëm se herat e tjera që në marrëveshjen përfundimtare do të përfshihen Presheva, Medvegja dhe Bujanovci.
“Unë vazhdoj të besoj më fuqishëm se herat tjera që në marrëveshjen përfundimtare do të kemi përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, dhe garantoj se edhe veriu i Mitrovicës , Gazivoda edhe Trepça do të jenë pjesë e Kosovës”, tha Thaçi, duke hedhur poshtë siç tha ai të gjitha spekulimet e deritashme rreth kësaj çështje.
Thaçi theksoi se në këtë fazë beson në mbështetjen e plotë të SHBA-ve dhe punën e Bashkimit Evropian.
Presidenti bëri të ditur se gjatë këtij takimi ka informuar kryeparlamentarin Kadri Veseli dhe Ekipin Negociator për letrën të cilën ia ka dërguar presidentit amerikan Donald Trump.
“E informova kryeparlamentarin Veseli dhe Ekipin Negociator për letrën që i dërgova presidentit Trump, ku i ritheksova zotimin tonë për të qenë pjesë e dialogut, dhe përkushtimin maksimal për arritjen e marrëveshjes me Serbinë”, u shpreh Thaçi, duke i falënderuar të gjitha shtetet që po ndihmojnë Kosovën në këtë periudhë.