Veteranët e UÇPMB-së: Nëse bashkohemi me Kosovë të paktën pensionin e veteranit do ta kemi të sigurtë
Ideja për bashkangjitjen e Luginës me Kosovën apo korigjimit të kufijve e kujt do qoftë ajo, është e mirëpritur nga veteranët e UÇPMB-së të cilët më shumë se kushdo tjetër e mirëpresin një gjë të tillë.
Disa nga veteranët në komunën e Bujanocit të cilët me plot dëshirë presin që këto troje ti bashkangjiten Kosovës, ngase siç thonë ata, paga dhe statusi i veteranit vetëm atëherë do të jenë të sigurtë, në të kundërtën ata kanë frikë se situata aktuale mund ti lë pa statusin e veteranit dhe ato të ardhura të cilat i marrin në këto kushte të vështira ekonomike mund ti humbin.
“Ne edhe ashtu jemi të diskriminuar nga Sërbia, kushtet ekonomike gjithnjë e më të vështira, për ne askush nuk interesohet dhe nëse i humbim edhe ato të ardhura atëherë rrugë tjetër nuk na mbetet vetëm asajë të mërgimit edhe pse pushkën nuk e kapëm që sot të jetojmë gjysëm të robëruar” i ka thënë një veteran i UÇPMB-së.
Sipas tij, gjendja e krijuar me listat e rrejshme mund ti lë pa statusin e veteranit edhe veteranët e vërtetë, nga ana tjetër institucionet lokale nuk kanë asnjë fuqi që të bëjnë diçka në këtë drejtim.
Edhe më tej mbetet aktuale situata me listat e rrejshme të veteranëve në të cilat janë përfshirë edhe një numër i konsiderueshëm i veteranëve të vërtetë, kurse një numër jo i vogël i ish-luftëtarëve të UÇPMB-së akoma nuk e kanë të rregulluar statusin e veteranit dhe në gjith këtë ngjarje është krijuar një mjegull nga e cila dalin disa pista, se si disa u paisën me statusin e veteranit dhe të tjetër edhe pas mëse një viti ngelën pa të dhe pista tjetër, si është e mundur që në listat e veteranëve ka patur persona me statusin e veteranit e të cilët nuk kanë qenë pjesë e UÇPMB-së.
“Unë nuk pres që për ne të bëhet mirë në këtë vend, nëse ne nuk i bashkangjitemi Kosovës atëherë nuk na presin ditë të mira, e ndoshta do të mbesim edhe pa pensionin të cilin e ka meritur çdo kush që ka qenë pjesë e luftës për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës” është shprehur veterani i UÇPMB-së.