Zotimi i Thaçit: Lugina t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë centimetër e territorit
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, me rastin e nderimit të tij me titullin “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Hasit, ka ritheksuar qëndrimin e tij për heqjen e pikës kufitare në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Ai para hasianëve ka thënë se është zotim i tij jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen Kosovës pa u cenuar asnjë centimetër e territorit të saj.
“Sot për mua është një moment i veçantë sepse kur mendoj se ku ishim para 20 vjetësh dhe ku jemi sot, mund të them lirisht se Kosova dhe shqiptarët e bënë të pamundurën, të mundur. Robërinë dhe gjenocidin e Serbisë arritëm ta ndalim dhe ta fitojmë lirinë”.
“Kjo është meritë e kombit shqiptar, kudo që ata jetojnë. Prandaj secili duhet të ndihet krenarë me kontributin për lirinë e Kosovës, edhe ai që ishte me pushkë në dorë dhe ai që ndau gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”.
“Ky nderim dhe respekt është për pjesëtarët e UÇK-së dhe luftën e drejtë që kemi zhvilluar. Qysh në moshën e re e njoh këtë trevë dhe këto familje. I njoh këto hapësira të mrekullueshme shqiptare të ndara padrejtësisht me pikat kufitare që ende ekzistojnë”.
“Kurrë ne jetë nuk do ta harroj dhe gjithmonë se këta njerëz këtu në Has janë njerëz të bukës, besës, pushkës dhe të çlirimit. Ju i dhatë 36 dëshmorë çlirimit të Kosovës. Ju keni qenë bashkërisht në istikamet e luftës dhe bashkërisht do të jetojmë në një shtet të përbashkët Kosovë-Shqipëri”.
“Sot ka qëndrime të ndryshme që mund t’i lexoni, por më duhet ta theksoj se kombi shqiptar kurrë nuk ka qenë më mirë. E ritheksoj edhe sot këtu, zotimin tim jetësor që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohet Kosovës pa u cenuar asnjë centimetër e territorit të Kosovës, as Trepça dhe as Ujmani”.
“Sepse misioni ynë vetëm me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës është i pamjaftueshëm. Ne jemi ndarë padrejtësisht dhe duhet të bashkohemi sipas vullnetit tonë. Ka ardhur momenti që të punojmë mençur dhe të kemi lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave pa pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë dhe nën ombrellën ndërkombëtare”.
“Shekulli i kaluar ka qenë i luftës për çlirim, ky shekull do të jetë shekull i bashkimit”.