USLP takohet me rektorin e Universitetit të Prishtinës, diskutojhen problemet e studentëve nga Lugina
Dje, përfaqësuesit e ‘’Unionit të Studentëve të Luginës së Preshevës’’ (USLP) kryetari Leutrim Edipi dhe Agon Mehmeti bashkërisht me deputetin e Parlamentit Studentor të UP – së, Edon Nishori, u takuan me rektorin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof.Dr. Marjan Dema. `
Qëllimi i realizimit të këtij takimi ishte informimi më i hollësishëm rreth mundësive dhe të drejtave të studentëve nga Lugina e Preshevës në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Çështjet e diskutuara në kuadër të takimit ishin: zbatimi i marrëveshjes për njohjen e diplomave në mes të Kosovës dhe Serbisë për studentët e të dy shteteve, kuota e lejuar për studentët e UP – së nga territoret jashtë Kosovës (me theks të veçantë te Lugina e Preshevës), ku për këtë vit kuota për studentët jashtë territorit të Kosovës pritet te miratohet nga ministria si në vijim: Studentët nga Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës 1.5%, nga Maqedonia dhe Shqipëria 2%, nga numri i përgjithshëm i të pranuarve për çdo njësi akademike në UP; si dhe mbulimi i shpenzimeve semestrale për studentët jashtë territorit të Kosovës që vijojnë studimet në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” duke i barazuar me studentët e Republikës së Kosovës, të cilët në vitin e parë nuk paguajnë asnjë shumë të hollash.
Pas shpalosjes së kërkesave në Konventën e studentëve të Prishtinës të mbajtur më datën 30.05.2019 në Prishtinë, USLP do të vazhdojë me takime intenzive për zgjidhjen e problemeve të studentëve të Luginës. Unioni studentor mbetet zëri i vetëm për të drejtat e studentëve të Luginës së Preshevës.