Akademi vere për autizmin në Preshevë, regjistrohu
Qendra për Edukim, Rehabilitim dhe Avancim është një organizatë e re e të rinjëve në Komunën e Preshevës, që ka për qëllim edukimin, rehabilitimin dhe mbështetjen e personave me pengesa në zhvillim, qoftë pengesa neurozhvillimore, pengesa në komunikim, sjellje, pengesa sensorike, etj.; gjithashtu ka për qëllim avancimin e prindërve, profesionistëve që kanë të bëjnë drejtëpërdrejtë ose në mënyrë indirekte me personat me nevoja të veçanta.
Projekti i parë, të cilin e organizon Qendra ERA është Akademi Vere me titull “Thyej Dritaren”, që ka të bëjë me njohjen e autizmit dhe punën me fëmijët autikë nga identifikimi deri te pavarësimi. Në këtë akademi vere do ligjërojnë profesionistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, të cilët janë profesionistë të njohur në fushën e psikologjisë, psikoterapisë, edukimit special dhe autizmit.
I pari prej tyre është, Migjen Amzai, MSc i psikologjisë klinike dhe psikoterapist i njohur. Është kryetar i Shoqatës së psikologëve shqiptarë në Maqedoninë Veriore. Asistent në institutin e Analizës Funksionale në Calvisson, Francë dhe në Institutin Salesiano di San Marco në Venecia, Itali.
I dyti që do ligjërojë është, Fitim Uka, PhD. Psikolog i njohur. Ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Gjilanit. Kryetar i Qendrës për Hulumtime Psikosociale dhe Mjekësore, si dhe kryeshef i revistës së parë psikologjike “Psika”. Ka një bagazh shumë të pasur akademik dhe në fushën e hulumtimeve ku hulumtimet e tij janë prezantuar në mbi 60 konferenca ndërkombëtare.
Në këtë Akademi Vere, i treti që do ligjërojë është, Ahmet Yalçın Hocaoğlu, MSc i Edukimit Special. Drejtor i Shkollës Speciale për Aftësim Profesional në Yskydar, Stamboll, Turqi. Ligjerues në Universitetin Medipol, në Stamboll. Terapist me përvojë shumë vjeçare në fushën e Edukimit Special, në veçanti me autizmin.
Ligjëruesi i katërtë me radhë, do jetë gjithashtu nga Turqia, ai është, Ümit Savaş Taşkesen, PhD, ligjërues në Universitetin “Necbedin Erbakan” në Konya të Turqisë, gjithashtu, zv.drejtor në qendrën për hulumtime në Universitetin e njejtë. Është terapist i fëmijëve me autizëm në qendrën më të madhe në Turqi, “Sobe” në Konya.
E, ligjëruesi i pestë me radhë, është një mysafir gjithashtu special nga Konya, që është Fatih Koçak, PhD, gjithashtu është ligjërues në Universitetin “Necbedin Erbakan” në Konya të Turqisë. Edhe z.Koçak është terapist i fëmijëvë me autizëm në qendrën më të madhe në Turqi, “Sobe” në Konya.
Temat që do ligjërohen do kenë qasje psikologjike, psikoterapeutike dhe nga arsimi special dhe rehabilitimi; autizmi nëpër faza nga fëmijëria deri në adoleshencë, identifikimi, vlerësimi, qasje dhe intervenimi i hershëm, ecuria në edukim, edukimi seksual dhe seksualiteti, autzmi dhe ndjenjat përfshirë dhe qasjen e familjes dhe shoqërisë në pranim, përkrahje dhe edukim të personave autikë.
Kohëzgjatja do jetë katër ditë me radhë, nga ora 11:00 deri në ora 16:00.
Pjesëmarrës në këtë akademi vere do mund të jene profesionistë të shkencave psikologjike, sociale, edukimit dhe mjekësore.
Pjesëmarrja është pa pagesë. Pjesëmarrësit pajisen me certifikatë dhe me materialet që ligjërohen.
E rëndësishme: Pjesëmarrësit nga vendet tjera, fjetjen e kanë me një çmim shumë të volitshëm, 8 euro nata, 3 nete x 8 euro = 24 euro.
Për informacione më të hollësishme, kontaktoni në email: thyejdritaren@gmail.com ose në faqen e facebook: Qendra ERA