Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është i pagëzuar si katolik, edhe pse gjyshi i tij kishte përkatësi ortodokse. Rama në një takim me Papën në Vatikan, i ka treguar historinë prekëse të gjyshes së tij katolike, gjë e cila thuhet të jetë një nga arsyet që Ati i Shenjtë pranoi të vizitojë Tiranën.
Shumë shqiptarë nuk e dinin, por ne jemi një republikë me një kryeministër katolik. Këtë detaj që e ka rrëfyer që në vitin 2004, Edi Rama e ka përsëritur sërish në intervistën me Blendi Fevziun. Dhjetë vite më parë ai ka treguar se ka qenë gjyshja e tij nga babai, (që paraqitet në këtë foto të lapsi.al me nipin e saj) me një origjinë të largët italo- kroate, ajo që e ka çuar ta pagëzonte tek një famullitar katolik në Shkodër. Rama ka treguar se prindërit e tij komunistë ateistë, Kristaqi dhe Aneta nuk kanë pasur kundërshtim për këtë gjë.
Historia e Edi Ramës katolik, zë fill në kohën kur gjyshja e tij u dashurua me gjyshin e kryeministrit, Vlashin, një ish shofer i mbretit Zog i apasionuar pas makinave. Rama rrëfeu dje se lidhja martesa mes gjyshes katolike dhe gjyshit ortodoks, ndonëse ky i fundit nuk ishte besimtar, ishte thuajse e pamundur atë kohë. Gjyshja e tij bëri të pamundurën për këtë martesë, madje i shkroi një letër Vatikanit ku i shpjegonte se kandidati i saj për bashkëshort nuk ishte besimtar dhe se ajo premtonte që në rast të lejimit të martesës, pasardhësit e saj do t’i pagëzonte si katolikë. Dhe gjyshja e mbajti fjalën. Ajo e pagëzoi katolik djalin e saj Kristaqin dhe më pas edhe nipin, Edin, kryeministrin që kemi sot. Falë kësaj historie ne kemi sot një kryeministër katolik dhe vetë Edi Rama e rikujtoi këtë fakt tani në prag të vizitës së Papa Françeskut.
Madje lapsi.al ka mësuar se burime nga Vatikani thonë se është pikërisht kjo histori e veçantë që kryeministri shqiptar i ka treguar Atit të Shenjtë në takimin e tyre të mëparshëm në Vatikan, përfshi edhe letrën e gjyshes së tij për selinë e shenjtë, ajo që e bindi Papën të ndërmerrte udhëtimin në Shqipëri. Me shumë gjasë letra e gjyshes mund të jetë gjetur në arkivat e Vatikanit. Natyrisht që Rama me talentin dhe oratorinë e tij mund ta ketë veshur historinë me plot shtesa, ngjyrime dhe pjesë emocionuese dhe ajo ka pasur efekt duke bërë që këtë herë të jetë Papa ai që “bie viktimë” e gojtarisë së Ramës, ashtu sikurse i ka ndodhur më parë kancelares Merkel.