Kosova të hënën në festë, 12 vite shtet i pavarur
Janë bërë 12 vjet që kur Kosova, shteti më i ri në Evropë, shpalli pavarësinë nga Serbia duke u bërë shtet sovran, me institucione të pavarura dhe me simbole unike shtetërore në Ballkanin Perëndimor.
12 vjet pas pavarësisë, Kosova vazhdon të përballet me sfida të jashtme dhe të brendshme. Jashtë territorit të saj, Kosova vazhdon të përballet me Serbinë, liderët e së cilës ende e konsiderojnë atë si “territor të tyrin” dhe si vend ku ende kanë “trashëgimi”; si dhe me rrugën e saj në anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE) dhe organizata të tjera evropiane.
Ndërkaq, brenda kufijve të saj, Kosova vazhdon të cilësohet nga mekanizma ndërkombëtarë ende si vend me korrupsion, varfëri, krim të organizuar dhe sistem të brishtë të arsimit dhe shëndetësisë.
Kosova do të shënojë përvjetorin e 12-të të pavarësisë me një qeveri të re të udhëhequr nga Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila është në koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).