Edhe Zvicra konfirmon rastin e parë me koronavirus
Autoritetet zvicerane konfirmuan rastin e parë të koronavirusit të ri në këtë vend.
Ai është një burrë 70-vjeçar, i cili u testua pozitiv në kantonin jugor të Ticinos, në kufirin me Italinë.
“Personi i infektuar ishte në Itali rreth dhjetë ditë më parë dhe mori pjesë në një event afër Milanos”, tha ministria zvicerane e shëndetësisë, në një deklaratë.
Njerëzit me të cilët ky person kishte kontakte janë futur në karantinë për 14 ditë.
Autoritetet zvicerane thanë se nuk ishte e nevojshme në këtë fazë të merren masa të mëtejshme, siç është mbyllja e shkollave.
Shpërthimi më i madh i virusit në Evropë është aktualisht në Itali, me më shumë se 280 infeksione dhe shtatë vdekje.
Virusi i ri tashmë ka vrarë më shumë se 2,600 njerëz, shumica e tyre në Kinë, dhe është përhapur në rreth 30 vende të tjera, raporton Reuters.
Numri i personave të infektuar është rritur në 80.114.
Rumania dhe Austria konfirmuan gjithashtu rastet e para me koronavirus.
Koronavirusi shkakton simptome të ngjashme me pneumoninë.
Ende nuk ka vaksinë për të.