Lajme

Doli nga shtypi libri më i ri i Jashar Esatit nga Miratoci

Doli nga shtypi libri më i ri i krijuesit nga fshati Miratoc, komuna e Preshevës Jashar Esatit me titull “Kohë e pamposhtur” (roman), përgatitur për shtyp nga Shoqata e Shkrimtarëve “Feniks” (Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë), botues sh.b. “Lena” Prishtinë.
Jashar Esati përpos që shkruan në prozë, ai shkruan edhe poezi. Në poezitë e tij e portretizon vendlindjen e tij të shtrenjtë.Jashar Esati jeton dhe vepron në SHBA…!
Tani po ua paraqesim mendimin e recensentit të librit, shkrimtarit Bilall Maliqi.
ROMAN QË SHTJELLON NGJARJE INTERESANTE TË KOHËS…!
I
Jashar Esati përpos që shkruan poezi për të rritur, ai shkruan edhe në prozë, duke provuar veten edhe në këtë zhanër letrar. Pas romanit “Ura e oqeanit”, Jasharit si duket iu hap udha drejt shtigjeve të reja , drejt gjetjes së motiveve të cilat i ka mbarështruar mirë gjithandej tekstit prozaik edhe në romanin më të ri, me titull “Kohë e pamposhtur”, në të cilën ka bërë një gjetje tejet interesante dhe jo vetëm kaq, porse ndodhitë që e përthekojnë romanin, në të gjithë kapitujt janë të jetës reale, të një kohe të pakohë që e pati pllakosur Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi.Ajo kohë nuk guxon të harrohet, por të shënohet si dëshmi për brezat e rinj, për të gjitha të zezat që iu kanë bërë shqiptarëve nga aparati i atëhershëm shtetëror i sh-Jugosllavisë, duke dëbuar nga puna punëtorë, mësimdhënës dhe të tjerë që nuk iu kanë bindur urdhërave të shtetit për t’u bërë shqiptar të ndershëm. Të tillë e kishte fatin Iliri, në moshën madhore, por edhe në fëmijërinë e tij, kur ishte në udhëkryqin e dilemës nga i ati i tij për të vazhduar apo jo shkollimin e mesëm e më vonë edhe faklutetin. Por me ndihmën e nënës dhe të mësuesit kjo dilemë u zgjidh. Sikurse fati i shumë intelektualëve të Kosovës, të cilët në asnjë mënyrë nuk pranuan masa të dhunshme nëpër organizata të ndryshme, edhe Iliri u përball me të njëjtat sfida, të cilat e shoqëruan deri në fund të jetës së tij, me burgimin e tij të padrejtë, me gjashtë vitet e mbajtura pa kryer asnjë krim apo gabim qoftë edhe më të voglin, duke e lënë familjen të priste në ankth për fatin e mëtutjeshëm të tij. Ai pas lirimit nga burgu vdes nga torturat e marra nga policia e burgut. Vdes pa e parë birin e tij Sokolin, i cili kishte shkuar në shërbim të detyrueshëm ushtarak në qytetin e Mostarit në Bosnjë e Hercegovinë. Duke lexuar romanin në fjalë, dhimbja nga kapitujt paraprakë ku pasqyrohet jeta mjaft e vështirë e Ilirit në burg, tani vazhdon dhimbja për familjen: loken, nënën dhe vëllain Dardanin, sepse në fillim nuk e dinte Iliri për djalin e tij Sokolin që kishte shkuar në shërbim ushtarak.
II
Jeta e Sokolit që në fillim ishte e vështirë në ushtri, duke patur parasyshë që vinte nga një familje me taban të shëndoshë patriotik dhe atdhetar, babain të burgosur për mosbindje ndaj shtetit të Serbisë, prandaj e merrnin në biseda informative deri në atë masë sa i vunë kurth në pikë të rojës, të cilën e braktis dhe ikë në drejtim të panjohur, sepse ishte natë e nuk dinte orientimin se kah të shkonte, por pas shumë mundimeve shpirtërore, Sokoli gjendet pranë një familje të ardhur nga Prizreni, emri i të cilit ishte xha Sulo, i cili e pranoi pa kusht në shtëpinë e tij, në të cilën qëndroi një kohë të gjatë derisa u radhit në brigadë të forcave boshnjake për çlirim. Në këtë brigadë ai takoi Ali Shpatin, një maskara të vërtetë, për të cilin para se të nisej i kishte folur xha Sulo. Më vonë, pas shumë plaçkitjeve që i bëri Ali Shpati popullatës me ushtarët e tij, erdhi moment që Sokoi ta plagos, për shkak të kryeneqësisë dhe plaçkijes së tij. Këtu para nesh na del në dyluftim e drejta me të shtrmbëtën, e mira me të keqen, e zeza që njollos qoftë me një pikë të vetme bardhësinë. Ky paralelizën i ngjarjes që na servoi autori me dy personazhet, njëri në mbojtje të së drejtës e tjetri në shërbim të së keqes, jep një pasqyrim interesant, një përshkrim korrekt për këtë ngjarje të zhvilluar në mes të këtyre dy personazheve.Shikuar nga kjo rrethanë, Sokolit prapë kthehettek shtëpia e xha Sulos, dhe drejtësia që ka pasur Sokoli rezultoi më vonë edhe në futjen e tij në UNPROFOR-in Amerikan dhe takimi i tij me Robert Smith, pasiqë lufta kishte prfunduar dhe Sokoli shkon për në Amerikë me bursën e fituar nga Robert Smith. Shkuarja e tij në Amerikë e gëzoi pa masë, por mendja i rrinte tek familja e tij, nuk dinte gjë për ta, as për babain e burgosur, për loken e sëmurë e cila i kërkoi hallallin që kur u nis për në ushtri, për nënën dhe vëllain dhe për Tinën të dashurën e tij. Kthimi i tij në shtëpi e gëzoi pa masë nënën, vëllain Dardanin me grua dhe tërë familjen. Dardani kishte mbetur invalid nga lufta e Kosovës, ndërsa Tina ishte martuar, por i kishte vdekur burri, dhe tani me takimin e tij të parë në Prishtinë me Tinën, vendosën që të fejohen e mandej të nisin shtëpinë e re, e cila do të kurorëzohet me dashuri dhe me familje.
III
Të gjithë kapitujt e librit kanë lidhëshmëri tematike dhe si të tilla mund të lexohen si tregime më vete dhe si një tërësi romanore.Romani në fjalë është i kuptueshëm e i kapshëm për secilën shtresë të lexuesve. Nuk ka ndonjë hermetizëm që lexuesi i rëndomtë do të haste në vështirësi kuptimore të romanit.Ky motiv, kjo gjetje, e bën romanin të afërt, të lexueshëm e të kuptueshëm, sepse me këtë autori na kthen në retrospektivë të kohës së shkuar që ka lënë gjurmë të zeza në mbamendjet tona dhe si i tillë romani lexohet me një frymë, të bën për veti deri në përfundimin e tij si një ngjarje që prekë në shpirt çdo shqiptarë.Kjo tërësi kuptimore e romanit në fjalë jep një segment të qartë, segment ky që lidh natyrshëm dy kohë të zullumta nga zullumçarët, ku mandej ishte në pikëpyetje edhe ekzistimi i durimit dhe fillimi i kushtrimit.Kjo semantikë e njësive apo kapitujve të shtrirë gjithandej romanit japin një zhvillim etapor nëpër kohë dhe situata të ndryshme, porse kanë korrespondim të natyrshëm në mes veti.Është pra një roman që shtjellon ngjarje interesante të kohës e cila shpërfaqte vetëm dhembje, trishtim dhe padrejtësi.Është një tabllo prekëse për të gjithë ata që i kanë përjetuar këto reprezalje dhe të atyre që i kanë ndjekur çdo ditë këto ngjarje rrëqethëse të asaj kohe e cila identifikohet me vrasje ushtarësh, burgosje dhe gjithçka të keqe që ka ndodhur dhe që ka mundur të ndodhë…!

Related Articles

Back to top button