100 mijë dinarë dënimi në Serbi për shitjen e mallrave që në vendin e origjinës iu shkruan “Kosova”
Një mjet i pastrimit që është prodhuar në Kosovë dhe në të cilin qartë shkruan “KOSOVË”, është shitur të shtunën në një shitore të kinezëve në Beograd.
Një lexues i sajtit “b92.net” e ka dërguar fotografinë e këtij mjeti në sajtin e njohur serb. Dhe “b92.net” ka pyetur në Ministrinë e Tregtisë dhe ka marrë përgjigje se bëhet fjalë për “kundërvajtje doganore”.
Rregulloret e Serbisë kërkojnë që shënimi të jetë neutral sa i takon statusit, për mallrat që hyjnë në Serbi nga territori i Kosovës. Sipas “b92.net” duhet të paraqitet fusnota, të shkruhet UNMIK etj.
“Për këtë shkelje është përgjegjës inspektorati i Ministrisë së Tregtisë, i cili, siç thonë aty, në raste të tilla shkon në terren dhe mallin e shënuar gabimisht e nxjerr jashtë qarkullimit deri në eliminim të mangësisë në deklarim. Po ashtu vendos gjobë për përgjegjësit. Gjoba për personin juridik është 100 mijë dinarë (833 euro v.j.), për personin përgjegjës 10 mijë dinarë (83 euro) dhe për sipërmarrësin 40 mijë dinarë (330 euro)”, ka shkruar “b92.net”.
Mallra që nuk përputhen me rregulloret në fuqi të Serbisë, shfaqen në mënyrë sporadike në dyqanet në Serbi.
Por mallra serbe vazhdojnë të hyjnë me të madhe në Kosovë. Sipas Dhomës së Tregtisë së Serbisë nga heqja e taskës e deri në prezantimin e masave shtesë të reciprocitetit (20 mars – 30 maj) ekonomia serbe ka plasuar në tregun kosovar mallra me vlerë 42 milionë euro.
Të shtunën Qeveria e Kosovës hoqi reciprocitetin ndaj Serbisë. Pritet që tani në Kosovë të hyjnë shumë më tepër mallra nga Serbia.