Lajme

Maqedonia nesër hap të gjithë kufijtë, por mbetet në fuqi testi PCR dhe vetizolimi 14 ditor

Shkup, 16 qershor 2020 – Qeveria në seancën e sotme solli vendim t’i hapë të gjitha vendkalimet kufitare në vend, por në fuqi edhe më tutje mbesin masat si paraqitja e testit negativ valid PCR gjatë hyrjes në vend dhe vetizolim i obligueshëm prej 14 ditësh. Risi është që të huajt, në vend se sikur deri tani të mund të transitojnë në vend vetëm përmes vendkalimeve kufitare Tabanocë dhe Bogorodicë, dhe atë në afat prej pesë orëve të mund ta bëjnë dhe përmes vendkalimeve tjera.

“Në këtë seancë Qeveria solli vendim prej nesër, 17 qershor, të hapen të gjitha vendkalimet kufitare në vend me zbatim të ,masave që janë aktive, me ç’rast për hyrje në Maqedoninë e Veriut është i obligueshëm testi valid negativ PCR, jo më i vjetër se 72 orë. Mbetet edhe masa për nënshkrim të “Deklaratës për vetizolim të obligueshëm në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, në bazë të së cilës Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor përgatit Vendim për kontroll shëndetësor dhe vetizolim shtëpiak, të cilën e kontrollon MPB”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.

Nga Qeveria sqarojnë se mbetet në fuqi edhe masa për karantinë shtetëror në kohëzgjatje prej 14 ditësh, për të gjithë qytetarët ose të huajt me qëndrim të rregullt në vend, të cilët gjatë hyrjes në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të bëjnë test valid PRC ose do të dorëzojnë test jovalid PCR.

“Mbetet edhe mundësia për qytetarët të cilët janë në karantinë shtetërore dhe që duan t’u bëhet test PCR në kërkesë të tyre, ajo t’u mundësohet nga ana e institucionit të autorizuar në afatin më të shkurtër. Ato qytetarë të cilët testin PCR e kanë negativ, nënshkruajnë “Deklaratë për vetizolim të obligueshëm në kohëzgjatje prej 14 ditëve”, ku llogariten edhe ditët e kaluara në karantinë shtetërore dhe shkojnë në vetizolim të obligueshëm në adresën e përcaktuar në deklaratën e dhënë. Nëse qytetarët nuk duan të bëjnë test me PCR, mbesin në karantinë 14 ditë, ndërsa pas atij afati nga ana e përfaqësuesve të autorizuar të ISHSSH u përgatitet vendim për kontroll shëndetësor dhe vetiozlim shtëpiak”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

Në seancën e sotme Qeveria e ka plotësuar Protokollin për transit të pandërprerë të shtetasve të huaj nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Prej nesër protokolli mundëson hyrje në të gjtiha vendkalimet kufitare të shtetasve të shteteve tjera për transitim nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Mbetet dispozita në protokollin i cili përshkruan se transiti i këtyre personave nënkupton hyrje në njërin vendkalim kufitar dhe dalje në tjetrin me obligim që gjatë transitit të mos dilet nga autostrada përkatëse ose rruga lokale dhe ai të realizohet në korrnizat e më së shumti pesë orëve që konfirmohet me deklaratë të cilën shtetasit e huaj duhet ta plotësojnë në hyrje, ndërsa në dalje shfrytëzuesi duhet ta dorëzojë te policia kufitare me qëllim që të kontrollohet kohëzgjatja e kalimit”, informojnë nga Qeveria.

Related Articles

Back to top button