Kosova do të ndihmojë Luginën me mjete mbrojtëse për ballafaqim me pandeminë
Kosova do të ofrojë përkrahje konkrete për shëndetësinë në Luginën e Preshevës. Ky është obligim i yni ndaj qytetarëve të këtyre dy komunave me shumicë shqiptare.
I shoqëruar nga bashkëpunëtorët e mi kam vizituar sot Luginën e Pershevës, ku me autoritetet e pushtetit lokal dhe autoritetet politike të komunave Bujanoc dhe Preshevë kam diskutuar për përkrahjen konkrete, si në përballimin e pandemisë Covid-19, ashtu edhe në kërkesat e tjera që kanë të bëjnë me specializimet e mjekëve të komunave të Luginës së Preshevës në Kosovë dhe çështje të tjera.
Gjatë takimeve me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafa, Kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kryetarin e Preshëvës Shqiprim Arifi, kryetarët e PVD-së e PDSH-së, Ardita Sinani e Ragmi Mustafa, kam theksuar se Qeveria e Kosovës dhe MSh do të ofrojë mbështetje me mjete mbrojtëse për ballafaqim me pandeminë, derisa përkujdes i veçantë do t’i kushtohet edhe kuotave për ndarjen e specializimeve për mjekët të Luginës, për ato profile shëndetësore të cilat janë më se të nevojshme për realizimin e një përkujdesi shëndetësor të nevojshëm.
Gjithashtu, kam kërkuar nga qytetarët e komunave të Luginës që të zbatojnë masat mbrojtëse kundër Covid-19, të eliminojnë frikën e marrjes së shërbimeve në institucionet shëndetësore të këtyre komunave si atyre në komunat e tjera dhe jam zotuar se çdo shqetësim i tyre do të adresohet tek autoritetet në Kosovë dhe në Beograd, me qëllim që kujdesi shëndetësor për qytetarët e komunave të Luginës të mos të mungojë.
Kam theksuar se një komunikim më i drejtpërdrejt me autritetet në Kosovë mund të ndikojë në përmirësimin e shumë gjërave sa i përket popullatës shqiptare në këto komuna, derisa ky komunikim do të jetë i rregullt dhe se Qeveria e Kosovës do t’i marr me seriozitet nevojat e tyre.
Për fillim, do të ndajmë kuotat e nevojshme për specializime për mjekët nga Lugina, derisa mbështetja për Covid 19 do të konkretizohet me projekte afatgjata që nënkuptojnë sigurimin e një kujdesi shëndetësor në nivel më të lartë për qytetarët e Luginës së Preshevës.
Bashkë për kujdes cilësor për të gjithë!
Bashkë kundër Covid 19!
Bashkë për Luginën!
#QeveriaHoti