Kryetari i Preshevës takohet me ministren e jashtme të Kosovës
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Stublla-Haradinaj ka pritur sot në takim kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, raporton Anadolu Agency (AA).
Takimi i cili zgjati më shumë se gjysmë ore në ambientet e ministrisë, u tha se shërbeu për konkretizimin e ndihmës së Qeverisë së Kosovës si dhe bashkëpunimit të saj me popullin dhe komunat me shumicë shqiptare në Serbi.
Ministrja Stublla – Haradinaj tha se bashkë me kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifin kanë nisur një platformë konsultative e cila është e vazhdueshme dhe me veprime konkrete.
Ajo tha se për të shtuar edhe më tepër ndihmën dhe bashkëpunimin me Preshevën, është themeluar edhe zyra në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, e cila do të funksionojë në raport të drejtpërdrejtë me Luginën e Preshevës.
“Ne kemi hapur rrugën për mbështetjen financiare të projekteve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, me anë të marrëveshjes së re të nënshkruar së fundmi mes dy qeverive. Këto projekte janë projekte infrastrukturore të Këshillit Kombëtar që do të përkrahen nga komunat në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Gjithashtu dhe projekte të Këshillit Kombëtar në forcimin e arsimit, në rritjen e aftësimit profesionale por edhe nxitjes shkencore dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore kombëtare”, tha Stublla – Haradinaj.
Ministrja kosovare tha se fushata e depopullimit në këtë pjesë të Serbisë me banorë shumicë shqiptarë është alarmante, teksa tha se për një çështje të tillë duhet ngritur zëri deri në nivelin ndërkombëtar në mënyrë që të ndalojnë këto fushata “në kundërshtim me çdo vlerë evropiane”.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi e vlerësoi takimin me ministren e Jashtme kosovare domethënës dhe miqësor. Ai theksoi se takimi kishte për qëllim konkretizimin e bashkëpunimit për të cilën tha se “rezultatet e para janë tashmë të dukshme”.
Arifi falënderoi të dy qeveritë, atë të Kosovës dhe Shqipërisë, për krijimin e Fondit të Luginës së Preshevës.
“Fondi e cila është një kërkesë e jona e kamotshme që në mënyrë strategjike të ndërtojmë një mekanizëm i cili është jo vetëm të dërgohen para apo financa në Luginë të Preshevës por të ketë një strategji të investimeve dhe qasjes ndaj shqiptarëve dhe nevojave të tyre, në përgjithësi që ta përforcojmë perspektivën e jetës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, por edhe kualitetin e jetës në të njëjtin moment”, tha Arifi.
Ai tha se për këtë e kanë edhe një draft, të cilin ditëve në vijim do t’ia dërgojnë Ministrisë së Jashtme të Kosovës por edhe asaj të Shqipërisë “se si është ideja e funksionimit të këtij fondi, në mënyrë transparente por sidomos profesionale”.
Një ditë para takimit të dy Qeverive Kosovë-Shqipëri më 2 tetor, kreu i Komunës së Preshevës nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale kërkoi Fond me 5 milionë euro për përmirësimin e jetës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Sipas Arifajt, ky fond do të ishte një shtyllë e zhvillimit të komunave me shumicë shqiptare në Serbi si dhe shembull i mirë për t’u ndjekur edhe nga shqiptarët në Mal të Zi dhe Maqedoni të Veriut.
Lugina e Preshevës si tërësi shtrihet në një territor prej mbi 1.000 kilometra katrorë, në të cilin jeton popullatë shqiptare rezidenciale prej rreth 100.000 banorëve, që aktualisht përbëjnë rreth 80 për qind të popullsisë së përgjithshme rezidenciale të rajonit.