Slloveni, shpallet gjendje e jashtëzakonshme me COVID-19
Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me COVID-19, qeveria e Sllovenisë që nga sot ka shpallur gjendje të epidemisë, e cila do të jetë në fuqi për muajin e ardhshëm për gjithë vendin.
Duke marrë parasysh se numri ditor i të infektuarve me koronavirus ditët e fundit në Slloveni ka arritur një rekord prej gati 900 rastesh dhe se numri i pacientëve pritet të rritet në periudhën e ardhshme, qeveria sllovene ka shpallur epidemi 30-ditore me mundësinë e forcimit të mëtejshëm të masave epidemiologjike.
Në Slloveni, testet kanë treguar se çdo qytetar i pestë është pozitiv për koronavirus, prandaj qeveria sllovene ka aktivizuar një situatë emergjente që nga sot, e cila do të jetë në gjendje të forcojë më tej masat shtesë në tri valë.
Nëse numri i të sëmurëve nga COVID-19 rritet në mënyrë progresive, Sllovenia në mënyrë shtesë do të vendosë ndalesë qarkullimi, gjegjësisht ndalimin e lëvizjes gjatë natës, duke ndjekur shembullin e masave aktuale të disa vendeve evropiane. Hapi tjetër mund të jetë mbyllja e qendrave tregtare, salloneve, palestrave, kafeneve dhe restoraneve dhe ndalimi i aktiviteteve dhe garave sportive, transmeton Tch.
Nëse numri i personave në spitalet sllovene mbetet i lartë, qeveria e kryeministrit Janez Jansha si mundësi të fundit do të aktivizojë “mbylljen”, konkretisht mbylljen e shkollave, kopshteve, pezullimin e transportit publik dhe pjesë të ekonomisë.
Sllovenia të premten regjistroi rekord prej 897 rastesh me koronavirus.