Si ta bëni gati veturën për vozitje gjatë dimrit?
Vozitja në rrugë me borë dhe akull, mund të jetë mjaft sfiduese, madje edhe për vozitësit me përvojë të madhe e me vetura mirë të përgatitura për dimër. Edhe akulli, edhe bora zvogëlojnë sasinë e tërheqjes duke e bërë më të vështirë lëvizjen, drejtimin dhe ndalimin makinës.
Gjatë stinës së dimrit dita është më e shkurtër dhe po ashtu shpeshherë ka edhe mjegull, e cila e bën dukshmërinë shumë të vogël, duke shkaktuar shumë aksidente trafiku.
Me një veturë të pajisur mirë, pak stërvitje dhe me një qëndrim të duhur, ju mund ta ngisni veturën me vetëbesim dhe siguri që të arrini në destinacionin tuaj.
Akoma pa rënë borë, ju duhet ta bëni gati veturën për sezonin e dimrit për t’u siguruar që vetura juaj t’i përballojë sfidat dhe kushtet e vozitjes në dimër. Pavarësisht nëse e bëni vetë, apo e dërgoni tek ndonjë mekanik, përgatitja e veturës për dimër është një detyrë shumë e rëndësishme dhe kritike.
Përgatitja fillon me kontrollimin e gjendjes së gomave. Nëse nuk i keni blerë gomat e reja të dimrit, kontrolloni nëse gomat e vjetra kanë një sipërfaqe gome të përshtatshme për lëvizje në borë si dhe sigurohuni që ta kontrolloni edhe shtypjen e gomave. Ndërsa moti bëhet i ftohtë, sasia e presionit në gomat tuaja zvogëlohet. Kontrollimi, fryrja e gomave dhe plotësimi me presion të mjaftueshëm është thelbësore, informacione këto që mund t’i gjeni edhe në manualin e veturës suaj.
Rezervoari
Po ashtu, gjatë dimrit është ide e mirë që rezervuarin e makinës ta mbani gjysmë të mbushur. Gjithmonë është mirë që gjatë dimrit të keni sa më shumë derivate, sepse ka gjasa më të mëdha që të qëndroni më gjatë në trafik. Ndërsa mbetja pa derivate në zona rurale ku pompat e derivateve mund të jenë të pakta dhe larg jush, mund të jetë një sfidë e vërtetë – në skenarin më të keq, një gabim fatal.
Pas përfundimit të dimrit, shumë prej vozitësve i largojnë pajisjet e dimrit nga veturat e tyre. Andaj akoma pa ardhur dimri, është mirë që t’i kushtoni kujdes pajisjeve të dimrit, duke u siguruar që t’i ktheni sërish në makinë zinxhirët e gomave dhe thyesin e akullit, ndërsa kutinë e ndihmës së parë duhet ta keni gjithmonë në veturë, pa marrë parasysh stinën.
Nëse zinxhirët e gomave janë të rinj, është ide e shkëlqyeshme që t’i zhbllokoni ata dhe ta praktikoni lidhjen e tyre në goma kur moti është i mirë. Jo vetëm që do t’i mësoni truqet se si t’i lidhni zinxhirët, por gjithashtu do të siguroheni që zinxhirët u përshtaten 100% gomave dhe atyre nuk iu mungon asnjë pjesë thelbësore.