Shpërthim i madh në Ferizaj 54 të lënduar, ka edhe fëmijë
Në një restorant në lagjen “The village” në Ferizaj ka ndodhur një shpërthim i një bombole gazi, si pasojë e të cilit kanë mbetur të plagosur 44 persona.
Major Qazim Reka, në një telefonatë për Report TV, ka konfirmuar se numri i të lënduarve ka shkuar në 54. Ata kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore dhe në mesin e tyre janë edhe dy fëmijë.
Brenda restorantit dyshohet se ka shpërthyer një bombolë e gazit, ku përveç dhjetëra të lënduarve janë shkaktuar edhe dëme të mëdha materiale.
Ndërkohë që për mediat vendase Drejtori i Spitalit të Ferizajit, Jeton Zeqiri tha se 4 prej pacientëve të cilët janë dërguar në QKUK janë në gjendje më të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve.
“24 pacientë kanë ardhur në spital për shkak të shpërthimit të një bombole. 8 prej tyre janë dërguar në QKUK me djegie të shkallës së lartë, 4 prej tyre në bazë të ekzaminimit janë shumë të rrezikuar për jete, ndërsa 12 pacientë janë duke u trajtuar në spital. Ne jemi mobilizuar menjëherë për trajtimin e këtyre pacientëve”, ka thënë ai.