7 zotimet e Enver Hoxhaj për Luginën e Preshevës
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), njëherit kandidat i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka shpalosur pjesën e programit zgjedhor të kësaj partie që ka të bëjë me shqiptarët në Luginë të Preshevës.
Hoxhaj ka thënë se pozita e shqiptarëve atje ka qenë preokupim i vazhdueshëm i PDK-së.
“Partia Demokratike në vazhdimësi e ka përcjellë me shqetësim gjendjen e shqiptarëve të Luginës, situatën e rëndë ekonomike të tyre, diskriminimin shtetëror të ushtruar ndaj tyre dhe plagën e emigrimit të shqiptarëve nga vatrat e tyre në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë“, ka thënë Hoxhaj në një konferencë për media.
“Si një parti e dalë nga lufta dhe me themele të forta patriotike, gjithmonë ka qenë e përkushtuar që t’ia zgjas dorën e përkrahjes vëllezërve dhe motrave tona të Luginës së Preshevës“, ka shtuar ai.
Hoxhaj ka bërë një mori zotimesh për shqiptarët atje.
“Partia Demokratike e Kosovës, si aleate e natyrshme dhe historike e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, dhe unë si Kryeministër i ardhshëm, i shpalli këto zotime publike:
1. PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, ashtu që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës.
2. PDK-ja do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që do të garantonte zotimet ligjore të Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës duke krijuar strukturat e nevojshme, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbështetje për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror.
3. PDK-ja dhe qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta themelojë Agjencinë Shtetërore për Luginën e Preshevës si organ koordinues i Kosovës për adresimin e sfidave të shqiptarëve të Luginës dhe për koordinimin e ndihmës shtetërore të Kosovës. Kjo Agjenci do të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Kryeministrit të Kosovës.
4. PDK-ja do të marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës. Kjo do të realizohet përmes nismës së PDK-së për ta amandamentuar Ligjin për Shtetësinë e Kosovës.
5. PDK-ja do ta ndërmarrë rritjen e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimin e kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë.
6. PDK-ja dhe qeveria e drejtuar nga PDK-ja do t’i hapë katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës, ashtu që ta lehtësojë qarkullimin e shqiptarëve të Luginës. Këto pika kufitare do të jenë në këto fshatra të Luginës – Muhoc, Breznicë, Dobrosin dhe Ranatoc.
7. PDK-ja do ta krijojë Fondin e përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre. Ky Fond i Qeverisë së Kosovës do të jetë me vlerë prej 2 milion euro në vit dhe do të orientohet nga zhvillimi ekonomik, kulturor, rual dhe arsimor i Luginës së Preshevës“, ka thënë Hoxhaj.
“Këto janë 7 zotimet të cilat Partia Demokratike dhe unë si kryeministër i ardhshëm deklarohemi para jush se do t’i implementojmë që në muajt e parë të qeverisjes“, ka thënë ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Enver Hoxhaj.
Ai ka thënë se PDK-ja do të garojë me ekipin dhe programin më të mirë në zgjedhjet e parakoshme parlamentare në Kosovë, të cilat pritet të mbahen në fillim të muajit shkurt.