Lajme

Bërnabiq i përgjigjet deputetes shqiptare për njohjen e diplomave të Kosovës në Sërbi

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar sot se çështja e njohjes së diplomave të Kosovës nga shteti i saj do të mund të zgjidhej porsa Serbia do të kishte “një bashkëbisedues adekuat” në institucionet e Kosovës, e i cili, sipas saj, është i gatshëm për kompromise.

Këto komente, Bërnabiq i bëri pas interesimit të deputetes së koalicionit “Lugina e Bashkuar-SDA Sanxhak”, Nedije Beqiri, rreth njohjes së diplomave kosovare.

“Problemi me të cilin përballen të rinjtë shqiptarë nga Lugina e Preshevës është edhe mosnjohja e diplomave të cilat ata i marrin në Kosovë. Nga viti 2008, diplomat nuk njihen, dhe kështu të rinjve u merret çdo mundësi për punësim e kontribut për komunitetet në të cilat jetojnë, dhe komunat tona kanë mbetur pa personelin e nevojshëm”, tha Beqiri, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”.

Ajo shtoi se kjo çështje është prekur gjatë dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

“Porsa Serbia të ketë një bashkëbisedues adekuat në institucionet e përkohshme në Prishtinë, i cili është i gatshëm që të bisedojë seriozisht për këtë, të bëjë kompromise dhe të vijmë deri te zgjidhja e cila do të ishte në interesin e të rinjve”, tha Bërnabiqi.

Ajo shtoi se Serbia është e interesuar për pajtim historik me shqiptarët.

Kryeministrja serbe në Kuvendin e Serbisë tha po ashtu se Kosova nuk është fajtore, por elita politike, e cila, sipas saj, duhet të ulet e të merret vesh se si trajtohen diplomat nga Mitrovica (nga universiteti paralel serb në Veri, shën. red.), në mënyrë që të zgjidhen edhe çështjet tjera.

Ndërkaq Beqiri tha se pika 6 e Marrëveshjes së Washingtonit thotë se të dy palët do të njohin diplomat dhe vërtetimet tjera, duke shtuar marrëveshjet ndërkombëtare të bazuara në Kushtetutën e Serbisë prodhojnë detyrime, sikurse edhe bazuar në ligjet e brendshme.

“Mendoj se është koha e fundit që të ndërmerret diçka në këtë drejtim, sepse nga kjo varet e ardhmja e një numri të madh të rinjsh. Komunat tona (në jug të Serbisë) kanë nevojë për kuadro të reja”, deklaroi deputetja Beqiri.

Bërnabiqi u përgjigj se pajtohet plotësisht në atë se marrëveshjet duhen respektuar dhe i bëri thirrje Beqirit që t’u bëjë apel autoriteteve në Kosovë “që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet”, së pari “marrëveshjen e Brukselit”.

“Asociacioni i komunave serbe është parakusht i bisedimeve më të mira”, theksoi Bërnabiqi, kryeministre e Serbisë.

Related Articles

Back to top button