Gazeta izraelite zbulon përpjekjet e Vuçiqit për ta parandaluar njohjen e Kosovës nga Izraeli
E përditshmja izraelite, The Jerusalem Post ka konfirmuar se të hënën Kosova dhe Izraeli do t’i vendosin edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike, teksa ka treguar edhe një përpjekje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për ta parandaluar këtë.
Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, megjithatë dhe një burim diplomatik izraelit konfirmoi se Beogradi është i zhgënjyer me zhvillimet e fundit. Në shtator, burime të afërta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq e bënë të qartë se nëse Beogradi hap një ambasadë në Jeruzalem, Serbia do të priste që Izraeli të mos e njihte Kosovën si shtet – megjithëse mund të mbante lidhje të nivelit më të ulët, shkruan gazeta izraelite.
Serbia mund ta hapë ende një ambasadë në Jeruzalem, siç përcakton marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, por marrëdhëniet me Izraelin do të degradohen, i ka thënë një burim JP-së.