Lajme

Pas më shumë se 50 viteve, ndërrohet gypi i azbestit në Preshevë

Komuna e Preshevës pas më shumë se 50 viteve ka bërë zëvendësimin e gypave të Azbestit në gypin kryesor nga Zhunica.

I pari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, e ka konsideruar si lajm tejet të mirë ndërrimin e gypave duke thënë se ky problem i kahmotshëm për banorët e Preshevës e tejet i rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve tani po merr fund.

“Sot nënshkrova kontratën për ndërrimin e gypit kryesor nga bunaret në fsh. Zhunicë deri te Rezervuari i qytetit tek Kroni i keq.

Ky projekt konsiston në zëvendësimin e gypit të azbestit që aktualisht është në funksion, me gyp plastik që i përmbushë kushtet dhe standardet teknike.

Përveç cilësisë së ujit, me vendosjen e gypit të ri do të mundësohet furnizim i rregullt dhe me presionin e nevojshëm të ujit që vie nga stacioni i pompimit në Zhunicë, në drejtim të rezervuarit të qytetit.

Me realizimin e këtij projekti do të përfundohet faza e parë e ndërhyrjes në sistemit të ujësjellësit të qytetit, gjithçka sipas Master planit të furnizimit me ujë të komunës së Preshevës, pasi tashmë është bërë rigjenerimi i bunareve, ndërtimi I rezervuarit të ri, rehabilitimi i rezervuarit ekzistues, si dhe vendosja e pajisjeve automatike në stacionin e pompimit të ujit në fsh. Zhunicë, që do të sigurohet një furnizim cilësor me ujë të pijshëm të pjesës së poshtme të qytetit.
Punimet në këtë projekt kanë qenë të planifikuara të fillojnë në Prill të vitit kaluar, mirëpo për shkak pandemisë janë shtyrë.

Projekti implementohet në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare UNOPS, kurse financohet nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze të akredituar në Beograd.

Related Articles

Back to top button