Lajme

Analistët Presheva: Kryetari i ardhshëm të merret me çështjet lokale e jo ato kombëtare

Zhvillim ekonomik, jetë më e mirë dhe parandalim të ikjes së rinisë nga Presheva, po kërkojnë shoqëria civile nga pushteti i ardhshëm. Sipas tyre, kush do që do t’i fitojë këto zgjedhje, duhet të përqendrohet në hallet e preshevarëve, e jo në tema të mëdha kombëtare.

Në Preshevë janë duke vijuar zgjedhjet e jashtëzakonshme, ku shqiptarët e Preshevës garojnë me gjashtë lista të ndryshme. Serbët janë në koalicion prej tetë partive serbe të bashkuara në partinë SNS.

Valon Arifi nga shoqëria civile thotë për KosovaPress, se kush do që të fitojë këto zgjedhje duhet të jetë fitore për ndryshimin e këtij qyteti, i cili ka nevojë tash e më shumë se dy dekada.

“Uroj që fituesi më shumë të merret me ndërtimin e parqeve dhe infrastrukturës urbane të qytetit, se sa me tema të mëdha politike, që nuk i takojnë një kryetari të komunës… Diskriminimi në njohjen e diplomave nga Republika e Serbisë në Republikën e Kosovës. Mendoj që ndikimi i politikanëve lokal është goxha i vogël në raport me ndikimin e politikanët e Kosovës apo Qeveria e Kosovës me kërkesat e tyre për njohjen e këtyre diplomave të cilat ia pamundësojnë punësimin e tyre”, thotë ai.

Ai thekson se në zgjedhjet e sotme janë të parat që do të bëjnë një ndryshim të vërtetë.

E njohësi i çështjeve politike, Zejnullah Dauti shprehet se qytetarët e Preshevës kanë nevojë për ditë më të mira dhe se nga këto zgjedhje presin ndryshim.

“Pritet që të veprojnë urgjentisht në parandalimin e ikjes së rinisë nga këtu, si dhe zhvillim ekonomik se zgjidhje tjetër nuk ka… Politikanët e luginës janë të vegjël për t’u marrë me tema të mëdha meqë nuk janë ata për t’u marrë me këto punë. Do të kishte qenë mirë që të merren me lokalin dhe të merren me zhvillimin ekonomik dhe me mbrojtjen e qytetarëve, ruajtjen e shëndetit të tyre”, deklaron ai.

Rreth 42 mijë qytetarë kanë të drejtë vote sot për të votuar për 38 këshilltarët për thirrjen e re të parlamentit lokal. Kujtojmë se Kuvendi Komunal u shpërnda në mes të muajit dhjetor 2020 për arsye se nuk u mbajt asnjë seancë që nga 27 gushti 2020.

Related Articles

Back to top button