Ardita Sinani e nis punën si kryetare, në takim i pret Ragmiun dhe Samiun
Sot, në shoqërimin e Zëvendës kryetarit të Komunës, z.Ragmi Mustafa dhe të kryetarit të Kuvendit Komunal, z.Sami Salihu; me bashkëpunëtorë, fillova zyrtarisht detyrën e kryetares së Komunës së Preshevës.
Më vjen keq që ish-kryetari i Komunës nuk mori pjesë në pranim-dorëzimin e detyrës dhe të dokumentacionit teknik e administrativ. E kuptoj egon personale dhe qëllimin për ta vështirësuar punën e zyres së Kryetares së Komunës. Por, pranim-dorëzimi nuk është çështje shtrëngim duarsh.
Pranim-dorëzimi është kulturë (e vazhdimësisë) institucionale dhe tregues i potencialit tonë demokratik. Shprehje se e duam Preshevën, interesin e saj publik dhe qytetar, më shumë se veten.
Sidoqoftë, qeverisja jonë e re është e përkushtuar për vazhdimin e punëve të mira dhe ndalimin e vendimeve të dëmshme, si dhe për fillimin e reformave gjithëpërfshirëse.
Presheva bëhet bashkërisht.