100 studentëve nga Lugina vizitojnë Turqinë

Nën organizimin e Shoqatës Kulturore “Dituria” nga Presheva u realizua me sukses një ekskursion 5 ditorë në Republikën e Turqisë. Që nga dita e martë e 25 shkurtit e deri të shtunën më 1 mars një grup prej 100 vetave nga Lugina e Preshevës vizituan Republikën e Turqisë, kryesisht qytetin e Stambollit, Eskishehirit dhe Bursës. Ky grup përbëhej prej 70 studentëve nga Lugina të cilët studiojnë në Universitetet e Prishtinës, Tiranës dhe Shkupit si dhe 30 maturant të shkollave të mesme nga Presheva dhe Bujanoci. Grupi ishte i ndarë në proporcion 50 djem dhe 50 vajza.
Ky projket u realizua në bashkëpunim me Guvernatorin e qytetit të Eskishehirit nën moton: “Ta njohim Turqinë”.Rreth 100 pjesëmarrës patën rastin për t’u njohur më përafër me kulturën, traditën dhe historinë e popullit turk. Ishte një befasi e mirë, se si janë ruajtur bukuritë natyrore dhe kulturore të këtyre qyteteve. Stambolli qytet me një gërshetim të fuqishëm në mes modernes dhe tradicionales, pastaj besnikëria ndaj tipit të jetës tradicionale në Bursa, dhe monumentet e lashta historike në qytetin e Eskishehirit.
Nxënësit dhe studentët patën rastin të interesohen më tepër për nivelin dhe kushtet e studimit në Turqi, si dhe përparësit që ofrojnë studimet në këtë vend, në rast se dëshirojnë t’i vazhdojnë studimet universitare dhe pas universitare.
Urojmë që edhe në të ardhmen projektet e tilla kulturore të realizohen me të rinjtë tanë, në mënyrë që t’u ofrohen mundësi reale për t’u njohur me tradita dhe kultura të popujve dhe shoqërive të ndryshme.
Njofton shërbimi për informim pranë Shoqatës Kulturore “DITURIA” Preshevë.