Vaksinimi i fëmijëve nuk do të rekomandohet derisa të përfundojnë testet
Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) në Serbi, Marijan Ivanusha, tha sot se gjëja më e rëndësishme është që prindërit të dinë se vaksinimi i fëmijëve kundër koronavirusit nuk do të rekomandohet për vaksinat që nuk kanë kaluar testet klinike tek fëmijët.
“Vaksinat që do të përdoren tek fëmijët do të konfirmohen të jenë efektive dhe të sigurta. Tani për tani, unë mendoj se bëhet fjalë vetëm për Pfizer, por studime klinike po bëhen edhe për të tjerët”, tha Ivanusha.
Drejtori i OBSH-së në Serbi tha se organizata nuk rekomandon vaksinimin e fëmijëve për momentin, por vetëm sepse ka grupe të tjera prioritare. “Ne e dimë se ka vende të shumta në botë që nuk kanë vaksina të mjaftueshme për të rriturit, për të moshuarit, për njerëzit me sëmundje kronike që janë një faktor rreziku për një rrjedhë serioze të sëmundjes,” vuri në dukje Ivanusha.
Ai thotë se fëmijët për momentin nuk janë grup prioritar, por nëse ka vaksinë, edhe ata mund të vaksinohen. “Nëse ata janë fëmijë me disa sëmundje kronike, ata fëmijë kanë përparësi. Përndryshe, fëmijë të shëndetshëm mund të vaksinohen, natyrisht,” tha Ivanusha.
Kur u pyet nëse do të nevojitet një dozë e tretë e vaksinës, Ivanusha tha se ai beson se do të vijë momenti kur do të nevojitet doza e tretë, por që OBSH nuk ka një përgjigje të saktë se kur dhe kujt. Ai vuri në dukje se qëllimi i OBSH-së është të vaksinojë 30 përqind të popullsisë së botës deri në fund të këtij viti, por sipas tij, bota është larg nga ajo.