Arben Islami, si 14 vjeçar kishte shikuar forcat britanike derisa mbërrinin në Kosovën e shkatërruar nga lufta, e që kishin vendosur t’i japin fund persekutimit të shqiptarëve nga Slobodan Milosevici.
Arbeni në atë kohë (1999) ishte 14 vjeçar, por i kishte bërë një premtim vetes- një ditë do të barte beretën e gjelbër të marinsave.
Katërmbëdhjetë vjet më vonë, Arbeni ka realizuar ëndrrën e tij. 28-vjeçari i është bashkuar trupave britanike si rezervist, ndërsa muajin e kaluar ka kaluar si komando, shkruan DailyMail.
Arbenit i ishte dhënë shtetësia britanike në korrik 2012, ndërsa një ditë më vonë ai i është bashkuar trupave britanike. Ai kishte lënë Kosovën, jo shumë kohë pas përfundimit të luftës.
“Si fëmijë kemi parë marinsat në Kosovë dhe doja që një ditë të jem njëri nga ta…. Prandaj kam ardhur në Britani të Madhe”, tha ai.
“Kam dashur t’i bashkohem këtyre trupave dhe të jap diçka për t’ia kthyer borxhin këtij vendi që na ndihmoi aq shumë”, shtoi Arbeni.
Kur Arbeni kishte arritur në Britani të Madhe, ai fillimisht ishte strehuar në Birmingham. Atje ai mësoi anglishten dhe shkoi në shkollë. Ai fillimisht kishe punuar si murator, ndërsa pas 18 muajve kishte bërë kërkesën për t’u bërë rezervist.
Arbeni, po ashtu kishte përfunduar kursin shumë të vështirë për komando. “Është një privilegj i madh për mua, sidomos që vijë nga një vend tjetër për t’u bashkuar me marinsat, sepse janë një nga forcat më të mira në botë”, është shprehur Arbeni.
“Ke shumë mundësi në Angli dhe është turp t’i humbasësh. Mund të bëhesh çfarëdo që dëshiron”, u shpreh Arbeni. /Telegrafi/