Xhamia pas 30 viteve ia kthen gjallërinë fshatit Gare (Video)
Sot në fshatin Gare ishte ditë feste. Atje vërshuan një numër i madh i qytetarëve, shumica bashkëfshatar të fshatit Gare.
Në praninë e rreth treqind pjesëmarrësve u bë hapja e Xhamisë.
Ka tridhjetë vite që është zbrazur nga banorët ky fshat. Gjithëçka ishte e demoluar dhe e shkatërruar. Para dy viteve një grup i njerëzve të vullnetit të mirë morën iniciativën për renovimin e xhamisë duke e ruajtur arkitekturën e vjetër të xhamisë.
Së bashku me xhaminë ishte ndërtuar edhe ish objekti i shkollës së fshatit me tri çeshme përskaj rrugës.
Sot ishte ditë feste, ditë e takimit, e çmalljes dhe përshëndetjeve të njerëzve, burrave, grave e fëmijëve.
Për ceremoninë e hapjes u kjdesën Këshilli Organizativ i ndërtimit të xhamisë dhe Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Preshevë.
Njerëzit kishin nisur udhën për fshat shumë më herët se koha e planifikuar e fillimit të ceremonisë – namazi I drekës.
Hyrja dhe prerja e shiritit të kuq u përcoll përmes tekbireve nga të pranishmit. Pas leximit të Kur’anit nga kandidati për hfz. Bylent Jakupi, moderator mulla Mumin Tahiri e shpalli të hapur programin ceremonial. Para të pranishmëve fjalë falënderimi folën aktivist dhe njerëz kontributor direkt që ndihmuan në realizimin e këtij nijeti të hajrit. Më pastaj kryetari i Këshillit Mr. Nexhmedin Ademi i pëshëndeti të pranishmit prezent në Xhami. Ai falënderoi të gjithë ata që me çfarëdo mundësie u angazhuan së bashku me Këshillin Organizativ, për ta ndërtuar këtë shtëpi të Allahut. Në vazhdim kryetari foli për vlerën e xhamisë në Islam si dhe dobitë praktike të gjithë vullnetarëve që kontribuan për përfundimin e këtij objekti. Kryetari solli në kujtesën e xhematit prezent edhe rolin e xhamisë në ndërtimin e personaliteteve patriotike që kontribuan për ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe fetare.
Pas leximit të Kur’anit nga mulla Abedin Limani, ceremonia u përmbyll me një dua – lutje me rastin e hapjes së xhamisë.
Në fund të pranishmit propozuan që 1, Gushti dita e hapjes së xhamisë të mbetet ditë e takimit vjetorë për të gjithë qytetarët e fsh. Gare.
Pas formimit të Këshillit të Xhamisë do të vazhdojnë konsultimet me Këshillin e Bashkesise Islame në Preshevë për mënyrën e aktivizimit dhe gjallërimit të xhamisë.