Rregulla të reja në Austri: Nga 1 shtatori testi PCR vlenë vetëm 48 orë dhe jo 72 orë
Vjena do të forcojë masat në luftën kundër koronavirusit nga 1 shtatori. Në kryeqytetin austriak, testet e PCR do të jenë të vlefshme për 48 orë nga muaji tjetër, në vend të 72 orëve të mëparshme.
Testet e antigjenit të kryera nga institucionet e autorizuara, siç janë farmacitë, do të jenë të vlefshme për 24 orë. Për fëmijët deri në 12 vjeç, testet e PCR do të jenë akoma të vlefshme për 72 orë, dhe antigjeni për 48 orë.
Masat e reja u njoftuan dje nga kryebashkiaku i Vjenës, Michael Ludwig, në një konferencë shtypi në asamblenë e qytetit.
Masat e tjera që janë më të rrepta se në provincat e tjera austriake, dhe lidhen me mbajtjen e maskave dhe detyrimin për të testuar fëmijët, do të mbeten në fuqi.
“Pandemia nuk ka kaluar. Numrat e të infektuarve dhe incidenca e infeksionit në shtatë ditë janë në rritje në të gjithë Evropën. Ne po përgatitemi për një numër të shtuar të rasteve në vjeshtë. Si qytet, ne ishim më të kujdesshëm para verës , kjo është arsyeja pse ne u kritikuam ashpër. theksoi Michael Ludwig.
Për momentin, duket se fëmijët do të preken nga vala e re e koronavirusit në vjeshtë. Ndërsa pushimet verore po përfundojnë, numri i njerëzve të infektuar po rritet dhe fëmijët mund të transmetojnë virusin në familje. Meqenëse fëmijët nën moshën 12 vjeç nuk mund të vaksinohen, është e rëndësishme që ata të testohen.
Kryebashkiaku i Vjenës nuk përjashtoi një shtrëngim shtesë të masave gjatë vjeshtës, si dhe futjen e të ashtuquajturit rregull “1G” për gastronominë, që do të thoshte qasje vetëm për qytetarët e vaksinuar.
Futja e masave më të rrepta do të varet nga zhvillimi i situatës. Vjena do të mbështesë testime të rregullta dhe të besueshme, dhe testet do të vazhdojnë të jenë falas, siguron Ludwig.
Testimi mbron ata që nuk mund të vaksinohen, siç janë fëmijët, por edhe ata që nuk duan. Kryebashkiaku i Vjenës është shprehur kundër vaksinimit të detyrueshëm.
Në vend të shtrëngimit, informacioni duhet të sigurohet.