Kur projektet në Preshevë “prish e ndreq” bëhen në kurriz të qytetarit!
Që njerëzit në demokraci ndahen në të majtë, të djathtë, të qendrës etj., sipas bindjeve të tyre, kjo është një gjë normale. Por, çudia këtu qëndron në atë që politikanët ndahen në njerëz që punojnë për Kombin e njerëz që punojnë kundër tij, ndahen në të «mirë» e të «ligj», në «hajdutë» e të «ndershëm», në të «korruptuar» e të «pa korruptuar», në «kriminelë» e «engjëj»!
Ka shumë vite që në Preshevë dëgjojmë akuza e kundër akuza, që vijnë sa nga njëra parti e sa nga tjetra. Secila nga këto parti politike lëshon akuza, shpifjeve, trillimeve për palën kundërshtare. Aq i neveritshëm është bërë ky model shqiptar, saqë qytetarët e moshës nga njëzet vjeç e lart, duhen që përditë të ikin nga vendi për të mos i dëgjuar kurrë.
Nuk ka njeri, as brenda e as jashtë Preshevës sot, që të besojë se njëra nga këto forca politike lufton për interesat e vendit e tjetra është kundër interesave të tij, njëra është me Serbinë e tjetra me Kosovën ose Shqipërinë, njëra forcë politike është për të “prishur” e tjetra është për të “ndrequr”! Që të gjitha këto forca politike që janë në Preshevë nuk i bashkojnë interesat e vendit, por kanë të përbashkët atë, që i bashkon vetëm interesi i “xhepit” të tyre.
Krerët e politikës, pavarësisht se të cilës parti janë, ajo çka i bashkon është vetëm vjedhja! E tërë kjo periudhë njëzet e një vjeçare, mund të quhet si periudha “prish e ndreq”! Kur njëra parti politike vjen në pushtet, kërkon gjoja sikur të ndërtojë diçka, (vetëm për t’u dukur se po bën diçka për të fituar vota, por jo që t’i shërbejë vendit), sapo vjen në pushtet forca tjetër politike, e prish atë dhe fillon sikur të bëjë një gjë tjetër, që të hedhë në “lumë” edhe ca para të tjera. Kur vjen në pushtet forca tjetër politike, do sikur të bëjë diçka, edhe kjo nga të njëjtat qëllime, duke qenë të bindur që kundërshtarët e tyre, do ta prishin atë e do të fillojnë nga e para! Shembujt për këtë që po themi në Preshevë janë të shumtë.
Partia politike që është në pushtet i lutet Zoti për të mos ndodhur ndonjë vërshim ose fatkeqësi. Partia tjetër kundërshtare, që pret të vijë në pushtet, i lutet Zotit që “ishallah”, ndodh ndonjë përmbytje që të kemi me çfarë të merremi për të rrëzuar nga pushteti këtë “pushtet hajnash” dhe të vijmë ne, “shpëtimtarët”! Që të dyja këto parti politike, si njëra edhe tjetra, nuk kanë punuar asnjëherë që të investojnë në parandalimin e vërshimeve, në pastrimin e kanaleve etj.
Dhe nëse ndodh ky fenomen dalin në terren kryetarja, i cila nuk ka “haber” as nga bujqësia, e as nga ekonomia, pa lëre pastaj nga qeverisja, dhe u premton fermerëve që “çdo vit do të investojë në bujqësi”.
Ajo çka është më shqetësuese, janë drejtuesit e partive politike, janë këshilltarët ata që po e përçajnë popullin, që po nxitin urrejtjen në popull, që po shtojnë pakënaqësitë e njërës parti politike kundër tjetrës. Shkon në administratën komunale në Preshevë dëgjon: “Këtë x kuadër e ka vendosur X partia”, “ky këshilltarë kur ecën dhe mendon sikur të gjithë janë nën këmbët e tij, është mik me kryetarin e partisë. “Nuk mund ti bësh asgjë atij ai është i forti i partisë” thotë tjetri. “E dijmë që është injorant, i paaftë, por ja që ka njerëz që e mbështesin në politikë”!
Me të vërtetë që nuk ke çfarë t’i bësh politikanëve, këshilltarëve, shefave, drejtorave, përderisa janë mbi të gjitha, sepse… është partia mbi të gjitha, është roli udhëheqës i partisë mbi të gjitha! Roli udhëheqës i partisë vazhdon edhe në këtë periudhë të kësaj demokracie, edhe në të ardhmen, kështu do të vazhdojë, për aq kohë sa të mos ketë institucione të pavarura e të mos ketë drejtësi. “Loja e blerjes së këshilltarëve” “koalicioneve-prish e ndreq” e politikanëve, do të vazhdojë për aq kohë sa në krye të jetë partia, edhe në vendosje, edhe në udhëheqje, e të gjitha të vendosen e të udhëhiqen nga politika e partisë, e cila është “në plan të parë”!.