Lajme

Sot mbledhja e radhës e “Open Balkan”, marrëveshjet që priten të miratohen

Kryeministri Edi Rama do të presë sot në Tiranë presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, për takimin e radhës së “Open Balkan”.

Takimi i fundit i nismës së Ballkanit të Hapur u mbajt në Beograd, ku mbi të gjitha u diskutua për lehtësimin e procedurave doganore, që “produktet të mos prishen duke pritur disa ditë në kufi”.

“I gjithë fokusi ka qenë te njerëzit, te kompanitë, fermerët, punëtorët, akademikët, studentët që janë dhe përfituesit real të Ballkanit të Hapur. Produktet nuk mund të rrinë me ditë në kufi, kjo shton koston në mënyrë marramendëse, ndërkohë që ndikon negativisht te produktet. Nuk mund të shkosh në kufi të premten dhe të presësh deri të hënën për të kaluar qumështin, kur ai është bërë kos. Apo për të pritur tre javë konfirmimin nga agjencitë e vendeve të tjera që të marrin produktin. Rezultatet do të paraqiten në Tiranë, në takimin e radhës në dhjetor dhe do të jenë përfitime për gjashtë vendet e rajonit, jo tre. Nga janari, në kufi fillon një relaksim, do të jetë shumë i lehtë kalimi i mallrave dhe kjo do të ndikojë në rritje ekonomike”, u shpreh kryeministri Rama në 4 nëntor.

Ndërkohë, po sot, ish-kryeminstri Sali Berisha ka paralajmëruar një protestë para Kryeministrisë, pasi sipas tij ardhja e presidentit serb është kërcënim për interesat e vendit tonë. Sipas tij, “Ballkani i Hapur” është një projekt serbo rus dhe Rama ka mbështetur Vuçiçin, në çështjen me Kosovë, pasi “ky projekt ka një qëllim, ndarjen e Kosovës”.

Për pasojë, agjenda e “Open Balkan”, që do të mbahet këtë të hënë dhe të martë do të përshtatet për mos të patur incidente me protestuesit që do të udhëhiqen nga Sali Berisha. Ndryshe nga takimet e shkuara, për arsye sigurie, udhëheqësit e tre vendeve nuk do të zhvillojnë një shëtitje në qytet siç ka ndodhur në Beograd, e Shkup,

Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu raporton se në këtë takim do të diskutohen e miratohen pesë marrëveshje:

1-Një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.
2-Ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor.
3-Marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor.
4-Marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).
5-Marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje e ndërsjelltë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS).

Po ashtu është planifikuar edhe mbajtja e Forumit Rajonal pët Agrikulturë dhe Bashkëpunimin Rajonal.

Konkluzionet e këtij takimi të Open Balkan do të bëhen publike nga kryeministri Edi Rama, kryeministri Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç rreth orës 13:00 të së martës.

Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në 29 korrikun e kaluar, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në 4 liritë e mëdha të bashkëpunimit në botën perëndimore: liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme, edhe pas thirrjeve për bashkëpunim.

Related Articles

Back to top button