Të pavaksinuarve u ndalohet hyrja në vend
Kur hyni në Finlandë, të gjithë duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi dhe një test negativ që nuk është më i vjetër se 48 orë.
Prej ditës së sotme, udhëtarët e huaj që nuk janë vaksinuar kundër Covid 19, edhe me një test negativ, nuk do të mund të hyjnë më në Finlandë, njoftoi qeveria, duke paraqitur masat për kontrollin e shtameve të koronavirusit omikron.
Hyrja në vend do të jetë e mundur vetëm për udhëtarët e huaj me test negativ për Covid 19 dhe ata që mund të dëshmojnë se janë vaksinuar plotësisht ose janë prekur nga koronavirusi, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme pas mbledhjes së qeverisë.
Shërbimi kufitar konfirmoi për Agence France-Presse se të huajt e pavaksinuar do të refuzohen, përveç atyre nën moshën 16 vjeç ose atyre që janë në listën e përjashtimeve.
“Pavarësisht origjinës së pasagjerit të huaj, të gjithë duhet të tregojnë një certifikatë vaksinimi dhe një test negativ jo më i vjetër se 48 orë”, tha Tomi Kivenjuri, përfaqësues i Gardës Kufitare Finlandeze.
Masa vlen edhe për qytetarët e Bashkimit Evropian
Masa e cila ka hyrë në fuqi në orën 14:00 vlen edhe për qytetarët e Bashkimit Evropian dhe për personat e lindur para vitit 2006.
Përjashtim bëjnë personeli shëndetësor dhe transporti, arsyet serioze familjare ose personat që kanë nevojë për ndihmë humanitare, si dhe disa banorë të zonave kufitare të Suedisë dhe Norvegjisë.
Finlanda njoftoi javën e kaluar se do të kërkonte një test negativ nga të gjithë pasagjerët, qytetarë të BE-së dhe pasagjerë të vaksinuar, nga 28 dhjetori, në mënyrë që të ndalojë rritjen e numrit të rasteve të Covid 19 të lidhur me variantin omicron.