Këtë muaj mbahet takimi i radhës në Bruksel për targat e automjeteve, optimizëm për marrëveshje
Këtë muaj do të takohen për herë të pestë në Bruksel grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve. Rreth një muaj para përfundimit të afatit gjashtëmujor të marrëveshjes për “stikersat” ka optimizëm për arritjen e një ujdie të re.
Në Qeverinë e Kosovës thonë se presin një zgjidhje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane. Kurse nga Bashkimi Evropian deklarojnë se takimi i fundit i grupit punues ka krijuar më shumë qartësi në lidhje me opsionet dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon.
Zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu, tha për KosovaPress se në katër takimet e kaluara janë diskutuar propozime dhe argumentime për modele të zgjidhjes se cila do të jetë e pranueshme për të dy palët.
“Deri më tani grupet punuese janë takuar katër herë. Gjatë këtyre takimeve janë diskutuar propozime dhe janë dhënë argumentime për modele të ndryshme të zgjidhjes e cila do të jetë e pranueshme për të dy palët. Javëve dhe muajve në vijim presim që të mbahet edhe takime të tjera drejt një zgjidhjeje përfundimtare sipas standardeve dhe modeleve evropiane”, thotë ai.
Ndërkohë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano thotë se grupi punues po mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda afatit të paracaktuar e që është 6 muaj nga takimi i parë më 21 tetor 2021.
“Mbledhja e katërt e Grupit punues për targa u zhvillua më 28 janar 2022. Diskutimi konkret i thelluar për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave krijoi më shumë qartësi në lidhje me opsionet e mundshme dhe rezultatet e mundshme për të promovuar dhe garantuar një liri efektive dhe të qetë të lëvizjes për qytetarët në rajon. Grupi punues mblidhet rregullisht për të paraqitur gjetjet konkrete brenda 6 muajve nga takimi i parë më 21 tetor 2021. Grupi i Punës do të mblidhet sërish këtë muaj”, thotë ai.
Nga ana tjetër, më skeptike për një marrëveshje finale për targat është Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës.
Njohësja e procesit të dialogut thotë për KosovaPress se shpeshherë në dialogun me Serbinë nuk janë respektuar afatet e parapara.
Sipas saj, ujdinë për targat mund ta pamundësojnë edhe zgjedhjet në Serbi.
“Palët i kanë dhënë njëra tjetrës 6 muaj kohë deri tek një zgjidhje më e qëndrueshme sa i përket targave, marrëveshjes për lëvizjen e lirë. Nuk është se në dialog ndonjëherë janë respektuar afatet, gjithmonë ka pasur shkelje të afateve në dialog, kryesisht nga ana e Serbisë…Meqenëse Serbia është në një proces zgjedhor dhe presidenti Vuçiq atje është pjesë e subjekteve politike që atje garojnë dhe mund të përdorë këtë për poena politik atje dhe kalkulime elektorale. Çdo gjë që ndodh brenda kësaj periudhe derisa atje të përfundojnë zgjedhjet nuk është shumë reale, më shumë është diçka që bëhet për qëllime politike. Andaj kundërshtimi i Serbisë për të arritur një marrëveshje qoftë për targat apo ndonjë çështje tjetër është se atje janë zgjedhjet dhe publiku ndikohet nga deklaratat e zyrtarëve politik dhe dialogu gjithmonë është një temë shumë atraktive dhe populiste që ndikon tek elektorati”, deklaron ajo.